Arben Ahmetaj ka ngritur padi në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut ndaj vendimit të 9 marsit 2023 të Gjykatës së Posaçme për kontrollin e banesës së përbashkët me partneren e tij, Erjola Hoxha, si dhe kontrollit fizik dhe të celularit të saj. Kërkesa është depozituar më 8 maj 2024 dhe është komunikuar më 6 tetor 2025.
Ahmetaj ankohet se kontrolli i banesës së tyre është i paligjshëm pasi gjatë kësaj kohe ai ka qenë deputet dhe nuk mund të kryhej si veprim pa autorizimin paraprak të Kuvendit.
Ata po ashtu pretendojnë se nuk kishin akses në një procedurë efektive për të kundërshtuar ligjshmërinë e këtyre kontrolleve.
Për këtë arsye, GJEDNJ i ka shtruar disa pyetje palëve.
“1. A ka pasur shkelje të së drejtës së kërkuesit të parë për respektimin e banesës, e garantuar nga neni 8 i Konventës? Në veçanti, a është kryer kontrolli i banesës në përputhje me nenin 73(2) të Kushtetutës, që lidhet me imunitetin e deputetëve? A ka shfrytëzuar kërkuesi i parë ndonjë mjet efektiv juridik brenda sistemit kombëtar në këtë drejtim?
2. A siguronin legjislacioni dhe praktika kombëtare mjete procedurale të mjaftueshme për të kundërshtuar ligjshmërinë e urdhrit të kontrollit, mënyrën e zbatimit të kontrolleve në banesë dhe ndaj kërkueses së dytë e telefonit të saj, si dhe sekuestrimin e sendeve gjatë kontrollit, sipas kërkesave të nenit 8 dhe nenit 13 të Konventës?
3. Në veçanti, a ishte vendimi gjyqësor i 8 marsit 2023 i ankueshëm në ndonjë gjykatë më të lartë?”.
Po ashtu, qeveria është ftuar që të paraqesë jurisprudencën përkatëse dhe shembuj të shqyrtimit nga gjykatat më të larta të ankesave të ngjashme.
Kujtojmë se Ahmetaj është nën hetim për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë, dhe në kuadër të këtij procedimi ndodhet në arrati, me masën e sigurisë “Arrest në burg” të lëshuar nga Gjykata e Posaçme.


