Policia e Shtetit njoftoi sot se gjatë 24 orëve të fundit, janë identifikuar dhe arrestuar në flagrancë dy shtetas, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë një tjetër, të dyshuar si autorë të tri zjarrvënieve në Kavajë, Vorë dhe Mallakastër.
Konkretisht, në Kavajë u arrestua shtetasi S. Ç., 51 vjeç, banues në fshatin Sterbeg, pasi, si pasojë e zjarrit që ndezi në sipërfaqen e tokës në pronësi të tij, u dëmtuan kullota në këtë fshat dhe 300 pemë (agrumesh dhe ullinjsh).
Ndërkohë në Vorë u arrestua shtetasi A. D., 43 vjeç, banues në fshatin Gjokaj, pasi si pasojë e zjarrit që ndezi në sipërfaqen e tokës në pronësi të një shtetasi tjetër, u dogj një sipërfaqe toke në këtë fshat, e mbjellë me drufrutorë.
Në Mallakastër u vu nën hetim penal O. B., 39 vjeç, banues në fshatin Levan, pasi gjatë tërheqjes me karrotrecin që drejtonte të një automjeti të aksidentuar, janë shkaktuar shkëndija elektrike, të cilat janë përhapur dhe kanë djegur dhjetëra pemë arre në pronësi të një shtetasi, në fshatin Romës.
Materialet procedurale iu referuan prokurorive kompetente për veprime të mëtejshme.
Sipas policisë, gjatë muajit qershor dhe dy javëve të para të muajit korrik 2026, janë arrestuar dhe proceduar 29 shtetas të dyshuar si autorë të zjarrvënieve.
Policia e Shtetit apelon sërish ndaj të gjithë qytetarëve, fermerëve dhe pronarëve apo poseduesve të kullotave që, në asnjë rrethanë, të mos ndezin zjarr.
Gjithashtu, praktika e gabuar dhe penalisht e ndëshkueshme e djegies së mbeturinave në toka bujqësore ose kullota përbën rrezik për përhapjen e pakontrolluar të flakëve, si dhe për dëmtimin e pronës, shëndetit dhe jetës.


