Kryetari i shkarkuar i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka publikuar dëshminë e një dëshmitari italian në rrjetet sociale, nga ku sipas tij nisi i gjithë kurthi që ai pretendon se i kanë ngritur atij me drejtësinë.
“Mirënjohje për qindra letrat tuaja, që më japin kurajë çdo ditë. Jam mirë, më i fortë e më i vendosur se kurrë në betejë me të ligën! Po postoj për të gjithë, rrëfimin e parë të një serie rrëfimesh, nga ata që, me ose pa dashje, kontribuan në kurthin e ngritur ndaj meje, që prodhoi një hetim të paligjshëm nga anonimati, një vetting 20 vjeçar të të gjithë jetës sime nga rinia, një Kryeqytet të sabotuar teksa ishte në kulmin e suksesit, një persekutim çnjerëzor të familjes sime, e një izolim grotesk, si të isha kriminel lufte apo drejtues kartelesh.
Lexojeni, se prej kësaj gënjeshtre të parë nisën protestat e rreme, u amplifikuan me kallëzime anonime, u ngjizën akuza me kërcënim dëshmitarësh e u bitis me shkallmimin e Kryeqytetit tonë Tiranës. Ndaj, secili duhet ta lexojë apologjinë noteriale të G.T.L-së, si leksion për të ardhmen.“, shkruan Veliaj.
Sipas dëshmisë së publikuar nga Veliaj, rezulton dëshmitari italian me iniciale G.T.L u tërhoq nga akuzat që kishte bërë ndaj tij në një televizion në Shqipëri, duke pranuar se kishte shpifur në këmbim të parave se kryebashkiaku ende në detyrë asokohe (viti 2023), kishte marrë pjesë në blerjen e një inceneratori të dështuar në Rumani. Sipas Veliajt, prej kësaj gënjeshtre të parë nisën protestat kundër tij.
“Nuk kam as njohuri e as prova që z. Erion Veliaj të ketë marrë pjesë apo të ketë qenë i përfshirë në blerjen e inceneratorit që kishim në Rumani.”, thuhet në dëshminë e italianit.
Veliaj këmbëngul në pafajësinë e tij, duke thënë se “Për të tjerët, që u bënë me vetëdije apo me zell politik pjesë e këtij fabrikimi. Dua t’u them se unë jam i burgosur, por nuk jam në burg. Jam i qetë dhe i çliruar në ndërgjegjen time. Shpresoj që të keni fuqi të çliroheni nga burgu i ligësisë suaj ku keni mbyllur veten, pasi e vërteta e rrëfimi do t’ju bëjë të lirë!”
Ai shprehet senjerëzit duhet të kuptojnë që fjalët kanë peshë, e kur janë të rreme “thyejnë karriera, qytete e familje, që do duan dekada të rikuperohen”.