Mjeku kinez Li Wenliang, i cili i pari tërhoqi vëmendjen për rreziqet e llojit të ri të koronavirusit, ka ndërruar jetë nga sëmundja në një spital në Wuhan të Kinës, (AA).
Sipas burimeve lokale, Li në dhjetor të vitit të kaluar u dërgoi një mesazh kolegëve në grupin e tij të diplomuarve të shkollës mjekësore duke paralajmëruar se shtatë persona ishin vendos në karantinë në spitalin e përgjithshëm në Wuhan me një sëmundje të frymëmarrjes të ngjashme me koronavirusin SARS (Sindroma e Rëndë e Frymëmarrjes Akute).
Por, policia në Wuhan e detyroi të nënshkruajë një letër duke pranuar se ai “bënte komente të rreme”.
Më 12 janar, Li u shtrua në spital pasi kontraktoi virusin nga njëri prej pacientëve të tij dhe u konfirmua se kishte koronavirus më 1 shkurt.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shprehu ngushëllimet e saj në Twitter.
“Ne jemi shumë të pikëlluar nga vdekja e Dr. Li Wenliang. Të gjithë duhet të kremtojmë punën që ai bëri me koronavirusin”, thuhet më tej.
Numri i vdekjeve në Kinë nga shpërthimi i koronavirusit të ri është ngjitur në 564 persona, tha të enjten Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë (NHC).
Në një deklaratë, komisioni tha se 28.018 raste të konfirmuara janë raportuar deri më tani dhe 73 persona kanë vdekur në 24 orët e fundit.
Numri i personave nën vëzhgim mjekësor është rritur në 186.354 ndërsa numri i atyre që mendohet se janë të infektuar tani është 24.702.
Virusi thuhet se është transmetuar tek njerëzit nga kafshët, veçanërisht lakuriqët.
Koronavirusi ka ngritur alarmin në të gjithë botën.