Kryetari i PD-së Sali Berisha po zhvillon sot në 2 maj një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale.
Fjalën e tij, Berisha e nisi me faktin se ishte në forumin e IDU-së në Kroaci. Ai foli dhe për rezolutën për Shqipërinë, që u firmos në Forum.
“Ne informuam për regjimin e krijuar në Shqipëri. Edhe ndërkombëtarët janë duke u ndërgjegjësuar se në vendin tonë është një regjim i rrezikshëm, që është problem jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por edhe për rajonin dhe Europën. Mund t’ju them se punimet e IDU-së u çelën me rezolutën për Shqipërinë. Ishte Shqipëria, sepse është vendi i farsës elektorale, është vendi i karteleve të drogës, shteti ku mbrohet korrupsioni qeveritar nga kryeministri. Ishte Shqipëria, sepse është vendi me të burgosur politik dhe persekutime politike. Rama njësoj si Enver Hoxha dhe babai i tij, sjell kundërshtarin e tij politik në kafaz qelqi në gjykatë, njësoj siç bënte Enveri 45 vite më parë”, tha Berisha.
Solli detaje nga rezoluta për Shqipërinë, e miratuar nga IDU.
“Rezoluta mbështet qeverinë teknike, për organizimin e zgjedhjeve. Pra, mbështet qeveri pa Edi Ramën. Mbështet zgjedhje të lira e të ndershme. Po ashtu ngrihet shqetësimi se në vend ka shumë çështje penale me motive politike. Rezoluta dënon drejtësinë selektive, sidomos çështjet që lidhen me Sali Berishën, Ilir Metën, Fatmir Mediun. IDU dënon reformën territoriale, që kërkon kontroll politik. IDU kërkon që të mbrohet rruga euro-atlantike e Shqipërisë”, deklaroi Berisha.
U pyet dhe për garën në PD, ku Berisha garon i vetëm. Thumboi dhe Salianjin, duke thënë se hante dreka e darka me kriminelë.
“Mos bini pre e propagandës të atyre, që prej 2009 nuk bëjnë zgjedhje në parti. Partia Demokratike e zgjedh kryetarin direkt me votën e anëtarësisë. Në garë në këtë parti pranohen të gjithë demokratët, që plotësojnë kriteret në rregullore, për të marrë pjesë në këtë garë. Në garën e PD-së nuk mund të marrin pjesë kandidatët e Ramës. Kandidatë, që punuan në fushatë me parti tjetër, këta në çdo parti politike në botë, përjashtohen për tradhtinë që kanë bërë ndaj partisë së tyre në fushë-betejë. Çdo njeri që plotëson kriteret nuk është refuzuar. Nuk mund të kandidojë ai që shtronte dreka e darka me kriminelë, kur ne e bëmë hero”, u shpreh ai.
Salianji ishte një hero, nuk mund të them. Por se në burg ai e shiti veten. Hante dreka e darka me kriminelë të lidhur me Partinë Socialiste. Kurse zonjën Sela nuk e njoh, është hera e parë që ia dëgjoj emrin, por gara brenda partisë ka kritere“, u shpreh Berisha.
E akuzoi po ashtu Salianjin se ka lidhje me socialistët.
“Salianji i shërben Ramës. PD është ndarë në mënyrë përfundimtare me Edi Ramën dhe rrethin e tij kriminal. Dhe pikërisht me rrethin kriminal të Ramës, ka lidhje Salianji. Madje, Salianji shfaqet në TV shumë shpesh duke qenë në shërbim të vazhdueshëm të qeverisë”, deklaroi ai.
Tha se Rama e ndërtoi shtëpinë, në kohën që thoshte se jeton me qira.
“Rama thoshte se jetonte me qira ose kishte pasuri modeste. Por se ndërkohë, vetëm pigmenti i bojës së shtëpisë së Edi Ramës kushton 100 mijë euro. Lërë pastaj të tjerat që janë shpenzime të panumërta. Sapo një prokurore nisi hetim për pasurinë e Edi Ramës, ajo u shkarkua menjëherë. Pasuritë e Ramës nuk kanë të sosur”, deklaroi Berisha.
Iu përgjigj dhe pyetjes se çfarë do të ndodhë në protestën e radhës të opozitës.
“Ne tashmë kemi fituar edhe simpatinë e ndërkombëtarëve. Duhet të vazhdojmë e të vazhdojmë të qëndrojmë, derisa ta rrëzojmë këtë qeveri kriminale. Asgjë nuk e mposht Partinë Demokratike. PD udhëheq shqiptarët dhe do ta rrëzojë regjimin e Ramës”, u shpreh Berisha.


