Nga Universiteti i Freiburgut, Komisionerja Kos e projektoi Shqipërinë si shtetin e dytë kandidat pas Malit të Zi që do të anëtarësohet në BE.
“Tani kemi një mundësi shumë realiste që Bashkimi Evropian të zgjerohet në vitet në vijim. Ende ka skepticizëm në shumë pjesë të Ballkanit Perëndimor se anëtarësimi në BE është me të vërtetë i mundur. Shpresoj që shembulli pozitiv i Malit të Zi dhe Shqipërisë, që është i dyti ne radhë, do të frymëzojë pjesën tjetër të shteteve të Ballkanit Perëndimor që të ndjekin të njëjtën rrugë”, tha Marta Kos.
Kos theksoi se zgjerimi nuk ka të bëjë vetëm me shtimin e anëtarëve të rinj në familjen evropiane, por edhe me shpërblimin e atyre shteteve që kanë demonstruar në vijimësi arritje në kryerjen e reformave në përputhje me standardet evropiane.
“Afati kohor për pranimin e shteteve të reja anëtare tashmë ka ndryshuar nga “hipotetik” në “realist”. Shtetet anëtare të BE-së ranë dakord të nisin hartimin e traktatit të pranimit të Malit të Zi në BE. Kjo është hera e parë që pas vitit 2009 kur BE-ja nisi të hartonte një traktat të tillë për Kroacinë, që do të thotë se ne e ndërmorëm këtë hap pasi kanë kaluar 17 vite. Ky është një hap i madh në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe tregon se reformat japin fryte”, tha Kos.
Kos tha se traktatet e reja të pranimit do t’i lejojnë Komisionit Evropian që të vendosë sanksione kundrejt një shteti të ri anëtar i cili nuk do ti respektonte “vlerat” dhe rregullat e BE-së pas anëtarësimit.
Marrëveshja e anëtarësimit me Malin e Zi do të jetë e para në historinë e BE-së që do të përfshijë këto masa specifike mbrojtëse.
Komisionerja shpjegoi se pesë apo dhjetë vite më parë, masa të tilla do të dukeshin “absurde”, por sipas saj tani Brukseli e ka kuptuar se duhet që të mbrohet nga “Kuajt e Trojës” nga shtete që hyjnë në BE dhe më pas e minojnë atë nga brenda.


