Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha sot se i gjithë sistemi i teknologjisë së informacionit të qeverisë është i bllokuar, duke e bërë praktikisht të pamundur marrjen e shërbimeve bazë nga tatimet, institucionet publike dhe platforma e-Albania.
“Biznesi është në krizë. Profesionistët e lirë po vuajnë më shumë se kushdo tjetër,” thekson ajo.
Tabaku theksoi se profesionistët e lirë nuk arrijnë dot të kryejnë veprimet më elementare: të gjenerojnë fatura, të llogarisin kostot apo të bëjnë një analizë minimale të punës së tyre ditore përmes sistemit self-care.
“Imagjinoni një profesionist të lirë, një biznes i vogël që punon nga mëngjesi në darkë, dhe nuk arrin dot të nxjerrë as një faturë të vetme,” thekson ajo.
Sipas deputetes së PD-së, bëhet fjalë për tatimpagues të rregullt, njerëz korrektë me shtetin, të cilët paguajnë taksa të rritura dhe kosto të larta fiskalizimi, por nuk marrin as shërbimin minimal në këmbim.
“Kjo është ‘qeveria e shërbimeve’. Kjo është qeveria e medaljeve të kota,” deklaron Tabaku, duke ngritur pyetjen se kush do të mbajë përgjegjësi për këtë situatë.
Në përfundim, ajo e cilëson realitetin aktual si paradoksal: një Shqipëri e shpallur ‘digjitale’, që nuk ofron dot as certifikata për biznesin dhe që ndaj sipërmarrjes shqiptare përgjigjet vetëm me “ERROR 404”.
Sipas saj, ky kolaps digjital po e zhyt biznesin në krizë dhe po minon besimin e qytetarëve te shteti.


