“Sot nuk ka nevojë të shkosh në Kadastër për të aplikuar për një shërbim, prandaj dhe Kadastra do mbyllet si sportel, nuk do ekzistojë më”.
Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi të mbajtur në Shkodër.
“Të gjithë sekserët dhe kanalet e llumit ku qytetarët kanë qenë të detyruar të kalojnë për të zgjidhur halle nuk do kenë më mundësi.
Por nëse sot aplikon për të marrë një titull pronësie ende nuk është e mundur që përgjigjen ta marrësh po në kompjuter, apo telefon, do e marrësh fizikisht.
Ajo që po bëjmë është një fond plus procesit të digjitalizimit të plotë të Kadastrës, brenda këtij mandati, titulli i pronësisë të vijë në telefon, mos kesh lidhje me njerëzit në godina.
Brenda 1 minuti të vjen letra kur ti aplikon. Në këtë fazë që jemi është e mundur të shkosh në Kadastër do aplikohet online dhe kështu edhe sporteli i Kadastrës do të mbyllet”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Edi Rama nga Shkodra, ku edhe prezantoi ligjin e ri për bashkëqeverisjen, tha se heqja e sporteleve të shërbimeve vitin e ardhshëm do të heqë një barrë të madhe për qytetarët, ndërsa nga ana tjetër të gjithë zyrtarët do të jenë nën monitorim kompjuterik, kështu askush s’mund ti shmanget përgjegjësive.
Kryeministri u shpreh se kjo është një pike e madhe kthese në luftën kundër korrupsionit në administratë.
“Jemi këtu për të vijuar një seri takimesh sensibilueze për të gjithë qytetarët lidhur me një transformim të madh të shërbimeve publike që ka të bëjë me dokument, të cilin është e domosdoshme që ta mësojnë dhe ta kuptojnë të gjithë qytetarët si një realitet për tu shfrytëzuar, duke bërë kështu shmangien e gjithë pengesave që për 30 vjet kanë qenë një problem për njerëzit që u janë drejtuar zyrave të shtetit për të marrë shërbim.
Sot kemi 95% të shërbimeve të gjitha llojeve që kryen shteti për qytetarët që janë kompjuter apo telefon. Vetëm 5% e shërbimeve nuk janë të disponueshme online për shkak se janë të lidhura domosdoshmërish me prezencën, fjala vjen kur duhet marrë një pasaportë e re dhe duhen dhënë shenjat e gishtave. Të gjitha shërbimet e jetës së përditshme janë në disponim pa pasur nevojë për të dalë nga shtëpia, mjafton një smartfone dhe kompjuter për të bërë drejtpërdrejtë kërkesën duke aplikuar për këto shërbime”, u shpreh Rama.