Ashtu sikurse e paralajmëroi ditën e djeshme, një ditë pasi u përjashtua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, deputetja Elisa Spiropali po mban një konferencë për shtyp.
“Ti përmende historinë, unë jam e para grua në 35, dhe po e marr si dekoratë këtë, dhe në këto dy skaje dhe duke qenë kryetarja më e re e zgjedhur e Kuvendit të Shqipërisë, dhe gruaja e parë e përjashtuar nga një forum i partisë në vitin 2026.
Unë mendoj që nuk duhet të çuditemi fare, sepse jemi në kohët kur ata që duhet të rrinë ikin dhe ata që ikin duhet të rrinë. Unë kam mbajtur një qëndrim të qartë për protestën e flamingove, dhe për udhëkryqin në të cilin gjendet Shqipëria.
Thirrje që t’u përgjigjemi qytetarëve për më shumë demokraci. Kam folur për nevojën për reformim, për sistemin tonë elektoral, i cili ka prodhuar një moçal dhe një stagnacion të plotë të qarkullimit të elitave. Ne kemi lëvizur në një drejtim tjetër dhe në momentin që unë kam mbajtur qëndrime që t’i vëmë fre pushtetit në funksion të Shqipërisë që është e të gjithëve. Në momentin që kam mbajtur qëndrime që nuk niseshin fare nga nevoja personale”, tha Spiropali.
Spiropali e konsideroi vendimin e marrë në Asamblenë e Përgjithshme të PS për ta përjashtuar nga forumet drejtuese të partisë si jolegjitime. Ajo tha se PS ka nevojë thelbësore për tu reformuar dhe se vendimet merren nëpër zyra e salla të mbyllura me urdhër të kryetarit Edi Rama.
“E mbaj si dekoratë faktin që jam ndër të përjashtuarit e sistemit. Jo se nuk kam përgjegjësitë e mia. Kam edhe unë përgjegjësi në konsolidimin e karakterit të personalizuar ekstremisht të pushtetit dhe të partisë së njëriut. Dhe kjo shkon përtej emrit të Ramës dhe raportit personal. Është në themel të problematikës që nxori në rrugë ata që u quajtën “flamingo”. Ishte ajo nevojë e brendshme që liria dhe guximi të jenë më të fortë se çdo triumfalizëm.
Kur kjo nevojë fillon të mungojë, atëherë nuk ka shtyllë që e mban në këmbë. Nuk ka rëndësi sa mandate ke. Pushtetet nuk mbahen nga muret, por nga besimi, respekti dhe legjitimiteti. Kur këto cënohen, kur arroganca, pretendimi dhe forca e mbivendosur mbi arsyen i mbivendosen dinjitetit njerëzor, lirisë dhe krenarisë, patjetër që do të ketë lëvizje. Kur zgjedhjet nuk garantojnë më ndryshimin e ekuilibrave, por vetëm të statistikave, kur pushteti shërben për të krijuar favore, lidhje dhe klientelizëm, pikërisht këtu fillon edhe rënia. Jo se ne nuk kemi bërë për Shqipërinë. Mbaj krenari dhe përgjegjësi për të shkuarën time, por kjo nuk mjafton më.
Ne duhet të flasim për të ardhmen. Isha e para që reagova, sepse ashtu e ndjeva. Në atë moment, marrëveshja e re për Shqipërinë kishte elementë armiqësorë ndaj PS-së. PS-ja është një masë e madhe njerëzish që nuk ka lidhje me përgjegjësitë e pushtetit, por padrejtësisht etiketohet dhe padrejtësisht është në qendër të një sulmi, ndërkohë që deputetët e PS-së e kanë të vështirë të përballen me publikun, sepse ne nuk iu ofruam njerëzve atë që prisnin. Nuk e pyeti kush PS-në, as nëse jam unë apo nuk jam unë. Këto janë vendime që merren në zyra dhe salla të mbyllura, me propozimin e një njeriu. Nuk ka votim. Në atë asamble nuk pati asnjë votim. Askush nuk mori përsipër të mbante procesverbal, sepse njerëzit ishin të shokuar. Ai vendim është nul. PS-ja nuk është vetëm një njeri, sado lider të jetë.
Sot, karakteri i personalizuar i pushtetit është në themel të problematikës së rëndë që po shohim. Gjendja do të përkeqësohet nëse nuk kuptojmë se duhet të reformohemi. Gjenerata Z nuk është armiku i pushtetit. As isha në atë mbledhje të grupit dhe as nuk kishte një rend dite për votim. Nuk u bë votim për legjitimimin e një vendimi të Asamblesë. Disa kolegë të nderuar aty kërkuan që unë të isha e pranishme dhe të flisja, por nuk m’u dha as kjo mundësi. Kaq e madhe qenka frika nga fjalët e një gruaje, jo më nga veprimi. Gratë nuk janë fasadë për t’u vendosur kur ka fushatë dhe për t’u dukur bukur. Gratë kanë edhe qëndrimet e tyre”, tha Spiropali.
Nuk tërhiqem nga beteja ime! Në detyrat politike, s’kam bërë ndonjë trup”
Spiropali u shpreh se mbetet socialiste dhe se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga beteja politike brenda mazhorancës.
“Gratë nuk janë vetëm për fusha që të dalin bukur, por gratë kanë edhe qëndrime. Unë diskutimet i kam bërë. Nuk ka rëndësi nëse unë jam flamingoja e parë, ashtu sikurse u quajt. Jo mo, jo, unë nuk jam flamingoja e parë dhe do ta kisha shumë për nder. Po ç’është kjo që partitë duhet të jenë grusht i bashkuar për unitetin. Unë më shumë se të gjithë e kam ngritur grushtin për të bërë beteja brenda mazhorancës. Kam bërë debate të forta me Sali Berishën. Nuk mund të ketë vendimmarrje të tilla, të cilat më shumë se legjitimitet, ato shprehin arbitraritet”, tha Spiropali.
Ajo kritikoi mënyrën e vendimmarrjes në PS, duke theksuar se partia ka nevojë për ndryshim modeli dhe më shumë përfaqësim.
“Unë jam një socialiste e bindur, jam një e majtë, por e konsideroj veten edhe një shqiptare të mirë e patriote të vendit. Nuk di që në detyrat e mia politike të kem bërë një turp. Betejën time do ta bëj. Dhe duhet të largohen ata që i kanë rënë Shqipërisë në qafë, duhet të mbajnë përgjegjësi ata që kanë mbajtur peng pushtetin. Sot deputetët e PS-së kanë frikë të pinë kafe me njëri-tjetrin. Unë nuk kam arsye që të largohem nga fronti. Ata që besojnë se PS-ja dhe e majta shqiptare i kanë rrënjët te Fan Noli.
Po çfarë lidhje kanë socialistët me këto akte, ku nuk i bëjnë nder PS-së, së cilës unë i kam dhënë fytyrën, kohën dhe jetën dhe për këtë jam krenare, nuk pendohem. Ishte koha për të kuptuar se pushteti mbahet nga besimi. Njerëzit mund të të kthehen dhe të dalin në bulevard nëse ti bëhesh bunker. Të gjithë njerëzit e majtë që duan ndryshimin e këtij modeli, nuk është një çështje njeriu. Është një model që nuk njeh përfaqësimin. Nuk kanë guximin minimal dhe qytetar që të shohin njëri-tjetrin në sy”, shtoi ajo.
Deputetja Elisa Spiropali u përjashtuar këtë të martë, 24 nëntor, dhe nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke dalë kështu si deputete e pavarur.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, socialistët kanë votuar pro përjashtimit të Spiropalit. Të vetmit që kanë abstenuar janë deputetët Erion Braçe dhe Bledi Çuçi. Vetë Spiropali nuk ka qenë e pranishme në mbledhje dhe as Edi Rama.
Nga Asambleja e PS-së e mbajtur më 14 nëntor, kryeministri dhe kryetari i partisë Edi Rama, e përjashtoi Spiropalin dhe ish-deputetin Plarent Ndreca nga të gjitha forumet drejtuese.


