Goditet një tjetër anije në Bengazi, incidenti prek këtë herë Iranin

Më datë:

Një tjetër anije është goditur në portin e Bengazit në Libi, përveç dy anijeve ruse të sulmuara nga dronët detarë ukrainas gjatë fundjavës. Këtë herë bëhet fjalë për një anije mallrash iraniane, e cila dyshohet se është goditur nga një dron ajror, por nuk është fundosur. Pas sulmit, satelitët e kanë lokalizuar atë duke u larguar nga zona e ankorimit për t’u vendosur në një kalatë të portit të Bengazit.

Prania e anijes iraniane në këtë zonë tregon se konfliktet në Evropë dhe në Gjirin Persik po ndërthuren gjithnjë e më shumë në Libi. Rajoni po kthehet në një pikë takimi të përplasjeve mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Anija e goditur quhet Alvan, është 168 metra e gjatë dhe, sipas dy personave të informuar mbi çështjen, dyshohet se transportonte pajisje elektronike kineze dhe indiane, të përdorura në luftën me dronë. Ngarkesa, ashtu si ajo e anijeve ruse, ishte e destinuar për klanin Haftar, i cili kontrollon Libinë lindore dhe një pjesë të madhe të vendburimeve të gazit dhe naftës. Familja Haftar zotëron burime të konsiderueshme financiare dhe po përpiqet të forcojë kapacitetet e saj ushtarake.

Ndryshe nga sulmet ndaj anijeve ruse, për të cilat mori përgjegjësinë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, autorët e sulmit ndaj anijes iraniane Alvan nuk janë bërë ende të ditur. Megjithatë, disa vëzhgues dyshojnë se pas tij qëndron një grup ukrainas, që mund të ketë vepruar në mbështetje të Shteteve të Bashkuara.

Sipas raportimeve, mes Uashingtonit dhe familjes Haftar kishte lindur një përplasje për furnizimet ushtarake nga Irani. Përfaqësuesit amerikanë i kishin kërkuar këtij klani të ndërpriste marrjen e pajisjeve ushtarake nga Teherani, por kërkesat e tyre nuk ishin marrë parasysh. Në Bengazi, ndërkohë, po zhvillohet një proces i shpejtë riarmatimi, me mbështetjen e Rusisë dhe Iranit.

Synimi i Khalifa Haftarit dhe djalit të tij, Saddam, sipas artikullit, mbetet marrja e kontrollit të Tripolit, rrëzimi i qeverisë së njohur ndërkombëtarisht, të drejtuar nga kryeministri Abdul Dbeibeh, dhe bashkimi i Libisë nën drejtimin e tyre. Një përpjekje e ngjashme dështoi gjashtë vite më parë, kur forcat që mbronin Tripolin, të mbështetura nga dronët turq, arritën të ndalonin ofensivën. Këtë herë, sipas raportimit, nga Bengazi po përgatitet një operacion me kapacitete shumë më të mëdha ushtarake.

Zhvillimet marrin një rëndësi të veçantë edhe për shkak të vizitës së Khalifa Haftarit te presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, e zhvilluar të martën, në një kohë kur tensionet në rajon janë shtuar pas sulmeve të fundjavës.

Sipas kompanisë italiane Planetek Italia, e specializuar në analizimin e të dhënave satelitore, anija Alvan ishte përpjekur të fshihte lëvizjet e saj. Ajo ndodhej në Gjirin e Omanit më 20 nëntor dhe, sipas të dhënave, ka shumë gjasa të ketë kaluar Ngushticën e Hormuzit, pavarësisht bllokadës amerikane. Më pas, anija kishte fikur sinjalin e saj satelitor, duke u zhdukur nga gjurmimi.

Në natën mes 22 dhe 23 nëntorit, në brigjet e Bengazit u shfaq një anije me të njëjtin numër identifikimi dhe flamur iranian, por me emrin Almehdi. Ajo ishte regjistruar si mjet lundrimi për argëtim. Megjithatë, imazhet satelitore tregojnë se bëhej fjalë për një anije mallrash me të njëjtat karakteristika si Alvan. Sipas Planetek Italia, kjo mund të ketë qenë një përpjekje e Iranit për të fshehur identitetin e vërtetë të anijes dhe për të ngatërruar gjurmimin e saj.

Kjo përpjekje dyshohet se ka dështuar, duke e kthyer anijen në objektiv të sulmit. Alvan ishte vendosur nën sanksione amerikane që prej vitit 2020.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka marrë përsipër edhe sulmin ndaj anijes ruse të mallrave Sparta 2, të kryer të shtunën në Gjirin e Finlandës. Në të njëjtën kohë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, vijon të shtyjë nënshkrimin e marrëveshjes për shitjen e 60 sistemeve kundërajrore Patriot për Ukrainën.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Goditet rrjeti i shpërndarjes së drogës në shkollat e Shkodrës, 13 të arrestuar

13 persona janë arrestuar nga Policia e Shkodrës në...

Spiropali thyen heshtjen: Përjashtimin nga grupi i PS-së e konsideroj vlerësim

 Ashtu sikurse e paralajmëroi ditën e djeshme, një ditë...

Zvicra rihapi ambasadën pas vitesh, Koreja e Veriut dëbon diplomatin brenda një muaji

Koreja e Veriut ka shpallur person “non grata” drejtuesin...

Tentuan të hynin në rezidencën e Princ William, në pranga dy shqiptarë në Britani

Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar në Britaninë e Madhe,...