Shqipëria, 31 vite anëtarësim në Këshillin e Europës, rrugëtim drejt standardeve demokratike europiane

Më datë:

Më 13 korrik 1995 Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Europës, duke shënuar një moment të rëndësishëm në procesin e konsolidimit demokratik dhe afrimit të vendit me standardet europiane.

Agjencia për Media dhe Informim (MIA) thekson se gjatë këtyre 31 viteve, anëtarësimi në Këshillin e Europës ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e reformave, forcimin e institucioneve dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.

Ky anëtarësim përfaqëson një nga angazhimet kryesore të Shqipërisë në rrugën e saj europiane, duke nxitur zhvillimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Sipas MIA-s, rrugëtimi europian i Shqipërisë vijon me të njëjtin angazhim për ndërtimin e një shteti më të fortë, më demokratik dhe më pranë vlerave europiane.

Më 13 korrik 1995, Shqipëria u bë zyrtarisht anëtare e Këshillit të Evropës, pas një procesi të nisur me vendosjen e kontakteve të para me këtë organizatë në fillim të viteve ’90, në periudhën e tranzicionit nga sistemi njëpartiak drejt demokracisë parlamentare pluraliste.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dërgoi për herë të parë vëzhgues në Shqipëri gjatë zgjedhjeve të pranverës së vitit 1991, ndërsa më 25 nëntor 1991 Kuvendit shqiptar iu dha statusi i “të ftuarit të veçantë” në KiE.

Në vijim, Shqipëria ndërmori reforma të rëndësishme institucionale dhe ligjore për ndërtimin e një shteti demokratik, përfshirë miratimin e një kuadri ligjor që garantonte ndarjen e pushteteve, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore.

Më 4 maj 1992, Shqipëria paraqiti kërkesën zyrtare për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ndërsa pas një procesi vlerësimi dhe bashkëpunimi me institucionet europiane, Asambleja Parlamentare e KiE-së miratoi Opinionin nr. 189 (1995), duke rekomanduar pranimin e vendit në organizatë.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës ka shërbyer si një shtysë për reforma të vazhdueshme në fusha kyçe si drejtësia, lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, liria e shprehjes dhe forcimi i institucioneve demokratike.

Gjatë këtyre viteve, Shqipëria ka nënshkruar dhe ratifikuar 93 traktate të Këshillit të Evropës dhe ka ndërmarrë reforma të rëndësishme, përfshirë reformën në drejtësi, forcimin e mekanizmave kundër korrupsionit dhe përmirësimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e pakicave kombëtare.

Një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet me KiE-në ishte edhe kryesimi nga Shqipëria i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, në periudhën 23 maj–9 nëntor 2012. Gjatë kësaj periudhe, vendi u fokusua në promovimin e demokracisë së qëndrueshme, forcimin e shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.

Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Këshillit të Evropës vijon edhe përmes programeve të përbashkëta, ndër të cilat Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, një nismë e Bashkimit Evropian dhe KiE-së që mbështet vendet e rajonit në përmbushjen e standardeve europiane.

Programet e bashkëpunimit kanë mbështetur Shqipërinë në fusha si drejtësia, lufta kundër korrupsionit, mbrojtja nga diskriminimi, të drejtat e njeriut, liria e medias dhe forcimi i qeverisjes demokratike.

Sot, pas 31 vitesh anëtarësim, Shqipëria vijon angazhimin për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe afrimin me standardet europiane, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Berisha në Asamblenë e Përgjithshme të IDC-CDI, në cilësinë e zëvendëspresidentit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka marrë pjesë...

Bojkot i opozitës në Parlament, deputetët kërkojnë reflektim ndaj kërkesave të qytetarëve

Kemi shpallur mospjesëmarrje në seancat parlamentare dhe jo në...

Alban Dokushi rikthehet në krye të administratës së Bashkisë së Tiranës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka firmosur...

GJKKO vendos rikthimin e dosjes së Roshit për hetime të mëtejshme

Gjykata e Posaçme ktheu për hetime të mëtejshme të...