19.5 C
Tirana

Shoqëria Civile: Projektligji “Për barazinë gjinore”, i pazbatueshëm në praktikë

Më datë:

Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit u zhvillua sot seanca dëgjimore për shqyrtimin e projektligjit “Për barazinë gjinore”.

Kjo seancë u shoqërua me debate të forta mes përfaqësuesve të grupeve të interesit dhe deputetëve të mazhorancës.

Kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku u shpreh se është diskutuar fakti që diskutimet e këtij komisioni të hapen edhe përtej parlamentit, pasi diskutimet duhet të ndodhin me të gjitha grupet e interesit.

“Ligji “Për barazinë gjinore” është debatuar mediatikshit përpara se të debatohet këtu. Kjo ka bërë që diskutimet të udhëzohen nga debati mediatik dhe jo ai përmbajtësor këtu në parlament. Ne do bëjmë maksimumin tonë që të gjitha grupet e interesit të kenë një zë këtu”, tha Tabaku.

Gjatë seancën dëgjimore, të pranishëm në Komision ishin përfaqësues të Institutit “Pro familja” si Akil Pano, Fisnik Kruja, Lindita Pano, Silvi Mihali, Xhonatan Pano, Aldo Hysa, si edhe përfaqësues të Institutit për Besim dhe Angazhim Kulturor, me Kaon Serjanin, Sara Vaskun, Bora Tagon dhe Sevim Serjanin.

“Drafti i parë i projektligjit ka pasur disa amendamente nga grupi parlamentar i PS, do të ketë edhe nga grupi parlamentar i PD. Kemi pasur shumë komente, nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe organizata të tjera që kanë sjellë ndryshime në nene të caktuara”, tha Tabaku.

Ndërsa, Akil Pano u shpreh se në thelb të këtij projektligji maskohet një shumësi çështjesh dhe faktorësh që kanë synim të transformojnë kulturën, traditën dhe atë që njihet si perceptim binar mbi gjininë, marrëdhëniet e prindërve me fëmijët etj.

“Në historinë e qytetërimit, koncepti burrë-grua ka qenë koncepti mbi të cilin u ndërtua familja, ligji dhe vetë rendi shoqëror. Në shumë shoqëri kjo po zëvendësohet me termin e paraqitur në këtë projektligj, gjini e shumëfishtë, e ndërthurur dhe gjithëpërfshirëse. Ky term, gjini e shumëfishtë krijon një ndryshim të thellë se si konceptohet identiteti dhe marrëdhëniet njerëzore. Nuk bëhet fjalë vetëm për të drejtat e minoriteteve, por për një ndryshim paradigmatik që prek shoqërinë, familjen, sportin, ushtrinë, ligjin penal dhe konceptin e vetë trupit njerëzor”, tha Pano.

“Të gjitha këto amendamente janë të përfshira. Nëse ky ligj do të miratohet siç u prezantua në fillim nga mazhoranca, pasojat për kulturën dhe traditën do të jenë fatale. Ndryshimet do të prekin fëmijët, familjen, ekonominë dhe kulturën e përbashkët”, vijoi ai.

Pano tha se në këtë projektligj nuk kemi të bëjmë vetëm me gjinitë binare mashkull, femër, por me një shumësi gjinish. Sipas tij, kjo shkel meritokracinë duke krijuar konfuzion të skajshëm te çdo institucion.

Ndërsa Kaon Serjani u shpreh se e mbështet projektligjin “Për barazinë gjinore”, por me disa rezerva në lidhje me disa nene.

“Ky projektligj shkatërron kuptimin biologjik të burrit dhe gruas, duke sjellë paqartësi në zbatimin e ligjit sa i takon barazisë gjinore. Projektligji është i pazbatueshëm në praktikë, dëmton përfaqësimin real të grave, duke nënkuptuar identitete të reja. Gratë nuk do mund të arrijnë kuotën 30% në përfaqësim. Ligji cenon autonominë e subjekteve private dhe fetare, bie ndesh me parimet teologjike”, tha Serjani.

Ai shtoi se projektligji rrezikon lirinë e shprehjes dhe medias, me përdorimin e gjuhës me ndjeshmëri gjinore, ndërsa e kthen arsimin në propagandë ideologjike duke i dhënë Ministrisë së Arsimit kompetenca për të riformuluar tekste.

Serjani tha se projektligji përbën rrezik për indoktrinim ideologjik, cenon lirinë akademike, duke uniformizuar mendimin akademik, teksa cenon edhe garën e drejtë në sportin e femrave.

Gjithashtu, Xhonatan Pano ndau në Komision disa shifra lidhur me një raport kombëtar mbi qëndrimet e qytetarëve për projektligjin “Për barazinë gjinore”.

“97% e qytetarëve i rrinë gjinisë strikt, mashkull dhe femër, 1,3% e lidhin me identitete të shumëfishta. 99% e të anketuarve e shohin familjen tradicionale burrë-grua-fëmijë si themelin e shoqërisë shqiptare. 95% prej tyre e kundërshtojnë futjen në kurrikulat mësimore të këtyre termave, ndërsa 94% e shqiptarëve mendojnë që këto ligje që ndikojnë mbi vlerat morale të shoqërisë duhet të vendosen me referendume”, tha Pano.

Nga ana tjetër, zëvendëskryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Iris Luarasi tha se ligji nuk del si një ligj që do të transformojë kulturën dhe traditën, as marrëdhënien mes prindërve dhe fëmijëve.

“Nuk gjendet në projektligj fjala gjini e shumëfishtë. Projektligji është ndërtuar mbi Konventën “Sido” të Kombeve të Bashkuara, mbi Konventën e Stambollit dhe është i mbështetur mbi 11 direktiva të BE-së. Në ligj nuk flitet as për Prindi 1, as për Prindi 2, nuk flitet as për koncept biologjik të gjinisë”, pohoi Luarasi.

Deputetja e PS, Kiduina Zaka kërkoi disa të dhëna shtesë mbi anketën e zhvilluar nga instituti “Pro familja”, mbi shifrat, besueshmërinë dhe kampionin që është përfshirë në këtë anketë.

Deputetja e PS, Sara Mila u shpreh se ky projektligj nuk kërcënon familjen shqiptare, ndërsa solli shembujt e vendeve të zhvilluara të Evropës, si Suedia, Danimarka, Holanda që e kanë zbatuar si ligj dhe aty, sipas saj, familja është forcuar.

Deputeti i PS, Ardit Bido e cilësoi këtë projektligj si një çështje e ndjeshme për shoqërinë, por shqetësues sipas tij mbetet qëllimi i debateve ekstreme.

“Nga çfarë dëgjova në këtë seancë nuk bëj dot ndarjen mes shqetësimit real dhe përmbajtjes së ligjit. Në mjaft pika, ligji nuk citon aspak ato që ju thatë”, tha Bido.

Ndërsa, deputetja e PD, Greta Bardeli iu drejtua Akil Panos me pyetjen se si konceptohet termi “përkatësi e shumëfishtë” në këtë projektligj.

Në fund të punimeve të seancës dëgjimore, Pano tha se “projektligji “Për barazinë gjinore” ka ardhur në Kuvendin që është shtëpia e shqiptarëve dhe jo e një mazhorance që udhëheq Kuvendin”.

“Do bëhet ligj për fëmijët dhe nipërit tuaj. Me ndryshimin e projeksionit të raportit të gjinive, nga mashkull femër në të ndërthurura, do ketë debate të forta. Të vëmë në punë arsyen, jo që arsyeja të na rrëmbehet nga motive të tjera. Ne njohim sipas fesë, traditës, që janë vetëm dy gjini, mashkull femër”, përfundoi Pano.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Ankimimi për shkarkimin nga detyra, Kushtetuesja njofton Erion Veliajn për seancën e 31 tetorit

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar zhvillimin e seancës plenare publike...

Deputetët e PD-së takojnë delegacionin e BE: Zgjedhjet e 11 majit, një farsë elektorale

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi,...

Miratohen marrëveshjet e huas me BERZH dhe BEI për Korridorin VIII hekurudhor

Komisioni i Ligjeve miratoi sot dy marrëveshje të huas...

Ursula von der Leyen denoncon “sulmin hibrid” ndaj Lituanisë nga Bjellorusia

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen,  tha...