Që prej orës 10:00, në një mbledhje me dyer të mbyllura në Gjykatën Kushtetuese, po shqyrtohet kërkesë-padia e kryedemokratit Sali Berisha. Ka ankimuar ligjshmërinë e masës së “arrestit në shtëpi”, caktuar ndaj tij nga Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion, në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”.
Kjo nisur nga seanca për informacion 2 mujor të hetimit të SPAK për Berishën, që u zvarrit vitin e shkuar.
Më konkretisht, më 19 korrik 2024, GJKKO vendosi shtyrjen e mbajtjes së seancës, për në datën 30 të atij muaji.
Po ashtu, Gjykata nuk u shpreh për revokimin e masës së sigurimit.
Avokatët e Berishës asokohe kërkuan papërdorshmëri dhe pavlefshmëri të provave dhe përsëritën kërkesën për shfuqizim të masës “arrest në shtëpi” me arsyetimin se nuk ekzistonin kushtet dhe kriteret.
Kështu, mbrojtja e ish-kryeministrit pretendon shkelje proceduriale dhe tejkalim të afateve ligjore nga ana e GJKKO-së. Tanimë, pritet që Kushtetuesja të thotë fjalën e fundit, sepse në rast se një gjë e tillë rezulton e vërtetë, edhe çështja për të cilën është nën hetim Berisha mund të marrë tjetër drejtim.
Aktualisht ai zbaton masën e sigurisë “detyrim paraqitje” në SPAK, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, e cila mund të vihet në pikëpyetje nëse kjo kërkesë-padi nuk rrëzohet.


