Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temë “Ndryshimet demografike dhe dinamika e tregut të punës – sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Shqipëri, Kosovë dhe rajon”, organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko theksoi se zhvillimet demografike dhe tregu i punës janë shtylla kyçe të qëndrueshmërisë ekonomike, veçanërisht për vendet e vogla dhe të hapura si Shqipëria, të ndikuara nga rënia e lindshmërisë, emigracioni dhe plakja e popullsisë.
Ai nënvizoi se pavarësisht ecurisë pozitive të ekonomisë shqiptare me rritje ekonomike, inflacion të qëndrueshëm dhe papunësi të ulët vendi përballet me sfida strukturore afatgjata, si rritja e produktivitetit, përshtatja me teknologjinë dhe zhvillimet demografike, që mund të kufizojnë kapacitetin për rritje të qëndrueshme.
“Në dritën e objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, integrimi evropian do të krijojë mundësi të reja për tregtinë dhe investimet. Megjithatë ky integrim mund të përshpejtojë lëvizshmërinë e fuqisë punëtore, veçanërisht të të rinjve dhe punonjësve të kualifikuar, drejt vendeve anëtare me ekonomi më të zhvilluara”, tha Sejko.
Guvernatori theksoi se në Shqipëri, si rezultat i kushteve të favorshme të kursit të këmbimit dhe qëndrimeve të duhura të politikës monetare, inflacioni qëndron pranë objektivit të bankës qendrore.
Në përfundim, Sejko bëri thirrje për një qasje të integruar që lidh arsimin, migracionin, politikat fiskale dhe reformën e tregut të punës, në funksion të qëndrueshmërisë ekonomike dhe integrimit drejt Bashkimit Evropian.
Konferenca bashkoi akademikë dhe përfaqësues të institucioneve nga rajoni dhe më gjerë, për të trajtuar sfidat aktuale dhe për të ndarë përvoja mbi zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në kontekstin e ndryshimeve demografike