Rifillim i gjuetisë sipas normave evropiane, dëgjesë publike për projektligjin

Më datë:

Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural zhvilloi sot një dëgjesë publike të përbashkët me Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, ku u diskutua projektligji i ri “Për gjuetinë”.

Në seancë dëgjimore morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, organizata mjedisore, ekspertë të faunës së egër, si dhe përfaqësues nga ministritë dhe bashkitë.

Kryetari i Komisionit të Bujqësisë, Blendi Klosi, tha se, diskutimet sot zhvillohen në një moment kyç, pasi moratoriumi i gjuetisë ka përfunduar, dhe ligji i ri parashtron rifillimin e gjuetisë sipas normave evropiane, duke pasur parasysh mbrojtjen e faunës së egër dhe zhvillimin e turizmit natyror.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkuan kontrolle më të forta dhe ndalim të gjuetisë në zona të ndjeshme.

Përfaqësues të OJF-ve mjedisore ngritën shqetësime për rrezikun e gjuetisë së paligjshme dhe mungesën e kontrolleve efektive.

Elitjon Nezaj, biolog dhe përfaqësues i PPNEA-s, e mbështeti projektligjin por kërkoi qartësim më të madh të përgjegjësive, forcim të kompetencave të pushtetit vendor dhe ndalimin e gjuetisë në zonat kyçe të korridoreve ekologjike. Ai propozoi edhe mundësinë që në zonat e gjuetisë të lejohen kërkime shkencore nga institucionet.

Nga shoqata e shpendëve të egër, Erald Zeka përshëndeti ndalimin e përdorimit të plumbit në municion, por paralajmëroi se gjuetia turistike ka dëmtuar faunën dhe kërkoi që aktualisht të mos lejohen gjuetarë të huaj në territor.

Ndërsa përfaqësuesi e organizatës globale “Katër Putrat”, Ariel Vasili, ngriti çështjen mbi kontrollin veterinar. Sipas tij, projektligji nuk detyron gjuetarët të regjistrojnë kafshët e vrara, as të raportojnë kapje të gabuara të specieve të mbrojtura. Ai kërkoi që ligji të detyrojë gjuetarët të kryejnë kontrolle veterinare për mishin e kafshëve të egra, sidomos për sëmundje si trikinela, përpara se ai të shitet te tregtarët. Gjithashtu theksoi ai, ligji nuk parashikon ngritjen e qendrave të rehabilitimit për kafshët e dëmtuara dhe financimin e tyre.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Mjedisit, Klodiana Marika, deklaroi se sigurimi veterinar është çështje e rregulluar nga ligji veterinar, i cili përfshin databaza dhe kontrolle për kafshët e egra. Ajo theksoi se zonat e mbrojtura dhe korridoret e gjelbra mbeten të ndaluara për gjueti, ndërsa zonat e lejuara do të monitorohen nga njësitë vendore dhe policia. Ndërkohë, ligji parashikon qartë ndalimin e mjeteve të paligjshme të gjuetisë.
Marika përmendi edhe rastin e murtajës në pyllin e Lezhës, e identifikuar falë raportimit të gjuetarëve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes komunitetit të gjuetarëve dhe institucioneve në luftën ndaj zoonozave.

Një nga çështjet e diskutuara ishte kërkesa për ndalim të gjuetarëve të huaj. Përfaqësues të institucioneve deklaruan se një ndalim i tillë mund të konsiderohet diskriminues, pasi edhe gjuetarët shqiptarë ushtrojnë aktivitet jashtë vendit.

Gjatë diskutimeve deputeti i opozitës, Xhelal Mziu, kritikoi moratoriumin duke thënë se ka shkaktuar rritje të numrit të grabitqarëve, si dhe ka cenuar ekuilibrin e faunës. Ai përshëndeti hartimin e këtij ligji të ri që i hap rrugë gjuetisë koherente me standardet e BE-së, ndërsa ngriti shqetësime për penalitetet e larta dhe afatin e shkurtër 10-ditor për ankimime.

Anila Denaj, kryetare e komisionit Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, vuri theksin në rëndësinë e bashkërendimit të bashkëpunimit mes shoqatës së gjuetarëve, organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve qendrore dhe vendore për forcimin e kontrollit dhe monitorimit të faunës për mbrojtjen dhe parandalimin e përhapjes së zoonozave, për të cilën kërkoi të shtohet me nen të veçantë në ligj kjo pikë bashkëpunimi.

Pas kësaj dëgjese, komisionet do të vijojë me diskutimin e pr/ligjit edhe me shoqatën e bashkive për përcaktimin e ndryshimeve te mundshme në projektligj, përpara se ai të kalojë në votim.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Beyer thekson rëndësinë e transparencës gjyqësore, Berisha: Qëndrojmë të vendosur për Europën

Pas takimit që zhvilloi sot me Peter Beyer, Raporter...

Ndodhen në Kinë! Ndërtohen shkallët lëvizëse më të gjata në natyrë në botë

Një qytet në Kinë ka ndërtuar sistemin më të...

“Të çmendur” pas Botërorit, Infantino: Më shumë se 500 milionë kërkesa për bileta

Botërori i FIFA-s 2026 pritet të jetë një ngjarje...

Byrek me kungull dhe djathë dhie

Përbërësit: 1 petë sfoliat (ose brumë për byrek) 400 g kungull,...