Bizneset kanë ende 37 ditë për të përmbushur detyrimin ligjor për pagesat CASHLESS përmes terminaleve për pagesa elektronike (POS/POI) në strukturat akomoduese, shërbimet e transportit dhe institucionet/shoqëritë publike, ndërsa afati për sektorin e turizmit dhe transportit është 30 maj 2026.
Për të gjitha bizneset e tjera, ky afat përfundimtar është 31 dhjetori 2026.
Ndryshimet e fundit të ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” synojnë uljen e përdorimit të parasë në dorë, formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e transparencës në transaksionet ekonomike.
Sipas ligjit, bizneset duhet të pajisen me terminale POS, ndërkohë që kufiri i lejuar për pagesat me para në dorë ndërmjet bizneseve është ulur nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë, me qëllim rritjen e gjurmueshmërisë së transaksioneve dhe reduktimin e evazionit fiskal.
Ndërkohë, për transaksionet cash midis individëve dhe subjekteve të vetëpunësuara është vendosur një kufi prej 500 mijë lekësh për të kufizuar qarkullimin e parasë jashtë sistemit financiar formal.
DPT nënvizon se përmbushja e këtyre detyrimeve brenda afateve të përcaktuara do të sjellë shërbim më të shpejtë për qytetarët, më shumë transparencë dhe formalizim të aktivitetit ekonomik, duke kontribuar në modernizimin e sistemit të pagesave dhe luftën kundër evazionit fiskal.
Tatimpaguesit që nuk përmbushin këto detyrime rrezikojnë penalitete sipas legjislacionit në fuqi.


