Ka nisur këtë të shtunë në Fier procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të degës së Partisë Demokratike.
Në garë janë pesë kandidatë: Ardian Ferro, Enkelejda Veliu, Fatjon Semanjaku, Gentian Koçi dhe Festim Meta. Të drejtën për të votuar e kanë 3 mijë e 800 anëtarë të Partisë Demokratike në Fier.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 08:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 18:00, ndërsa më pas pritet nisja e numërimit të votave dhe shpallja e fituesit.
Procesi zgjedhor zhvillohet pas një periudhe të gjatë përplasjesh dhe riorganizimi brenda degës së PD-së në Fier. Gara është shoqëruar edhe me kontestime për listat e anëtarësisë dhe mënyrën e organizimit të zgjedhjeve. Ish-kryetari i degës, Rrapi Gjika, ka ngritur publikisht akuza për manipulim të listave dhe paracaktim të fituesit.
Ka nisur procesi i votimit në selinë e Partisë Demokratike në Korçë, ku anëtarët e kësaj force politike do të zgjedhin gjatë ditës së sotme kryetarin e ri të degës lokale.
Në garë për drejtimin e PD-së së Korçës janë dy kandidatë, Harito Zoti dhe Mikel Dishnica.
Sipas listës zyrtare, janë rreth 4800 anëtarë me të drejtë vote, të cilët do të kenë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre përmes votës, duke përcaktuar se kush do të marrë drejtimin e degës së Partisë Demokratike në Korçë.
Procesi i votimit pritet të vijojë gjatë ditës, ndërsa në përfundim do të shpallet edhe emri i kryetarit të ri.


