Qindra mijëra udhëtarë në SHBA u përballën të dielën e 9 nëntorit me vonesa dhe anulime fluturimesh, në ditën më të keqe për ndërprerjet që nga nisja e mbylljes së qeverisë amerikane. Sekretari i Transportit, Sean Duffy, paralajmëroi se situata do të përkeqësohet në prag të festës së Falënderimeve.
Shifrat alarmante: Më shumë se 2 mijë 800 fluturime u anuluan të dielën. Mbi 10 mijë e 200 fluturime u vonuan. Kjo ishte dita e tretë me reduktime të detyruara nga qeveria për shkak të mungesës së stafit në kontrollin ajror
Siç shkruan Reuters, mbyllja e qeverisë, që ka arritur një rekord prej 40 ditësh, ka shkaktuar mungesë të kontrollorëve ajrorë, të cilët, si shumë punonjës të tjerë federalë, nuk janë paguar prej javësh.
Duffy tha për CNN: “Do të bëhet edhe më keq… dy javët para Falënderimeve, udhëtimi ajror do të reduktohet në minimum.” Festa e Falënderimeve, një nga më të rëndësishmet në SHBA, këtë vit bie më 27 nëntor.
Senati amerikan votoi të dielën vonë për të avancuar një projektligj që synon t’i japë fund mbylljes së qeverisë, duke shkaktuar rritje të aksioneve të kompanive ajrore: United Airlines +1.9%; Delta dhe American Airlines +1.4% dhe Alaska Air +1%.
Megjithatë, projektligji duhet ende të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe të nënshkruhet nga presidenti Donald Trump, një proces që mund të zgjasë disa ditë.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka urdhëruar kompanitë ajrore të reduktojnë: 4% të fluturimeve ditore që nga e premtja në 40 aeroporte kryesor, 6% deri më 11 nëntor si dhe 10% deri më 14 nëntor.
Sekretari i Transportit ka deklaruar gjithashtu se nuk do të tërheqë urdhrin për reduktim të fluturimeve derisa kontrollorët të rikthehen në punë dhe të përmirësohen të dhënat e sigurisë.


