Kryeparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me Përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi ka thënë se në këtë proces nuk duhet të ketë negocim për territore.
Në konferencën për media, Osmani ka shtuar se Qeveria është e vetmja që duhet ta përfaqësojë Kosovën në dialog e se Kuvendi duhet ta mbikëqyrë.
“Shpreha gatishmërinë që të kemi rol sa më mbikëqyrës mbi Qeverinë që është e vetmja që duhet ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces. Presim të ketë dialog mes dy palësh të barabarta dhe se ka kuptim vetëm nëse përfundon me njohje të ndërsjellë.
Si Kuvend kemi miratuar shumë rezoluta që presim të respektohen nga Qeveria, që s’ka negocim për territorin, sovranitetin e rendin tonë të brendshëm.
Duhet të jenë tri parime udhëheqëse mbi të cilat ndërtohet procesi i dialogut, përndryshe do të kishte rezultat të paimplementueshëm në terren”, ka thënë Osmani.
Në anën tjetër, Lajçak ka thënë se ka informuar Osmanin për planet dhe metodologjinë me të cilat synon të vazhdojë procesi i dialogut.


