Një operacion i koduar “Rastet”, i zhvilluar nga Policia e Shtetit mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme, ka çuar në zbulimin e tre ambienteve të përshtatura për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit në zonat e Milot dhe Laç.
Gjatë ndërhyrjes, shërbimet policore sekuestruan 15 makineta, 3 tavolina pokeri, një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë, para në dorë dhe pajisje të tjera që shërbenin për këtë veprimtari të jashtëligjshme. Në njërin prej ambienteve u konstatua gjithashtu përdorim dhe shpërndarje e lëndëve narkotike.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan shtetasit Sh. P., 21 vjeç, dhe D. M., 33 vjeç, ndërsa u procedua penalisht S. Sh., 61 vjeç, pronar i një lokali në Laç, ku u gjetën 8 makineta, 2 tavolina pokeri dhe doza të lëndës narkotike.
Në këtë aktivitet dyshohet se ishin të përfshirë edhe dy të arrestuarit si bashkadministratorë.
Gjithashtu, në Milot u arrestua shtetasi Y. V., 45 vjeç, pasi në lokalin e tij u zbuluan 6 pajisje për lojëra fati.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi P. Ll., 31 vjeç, në pronësi të të cilit u gjet një tjetër ambient me 2 makineta dhe 1 tavolinë pokeri.
Policia bën të ditur se kontrollet për goditjen e kësaj paligjshmërie do të vijojnë në subjekte dhe ambiente të ndryshme në të gjithë territorin.
Materialet procedurale i janë referuar Prokuroria e Lezhës për veprime të mëtejshme ligjore.


