Kryeministri Edi Rama, ndodhet këtë të hënë në Francë në kuadër të një vizite zyrtare.
Siç raportohet, ai ka takuar Presidentin francez, Emmanuel Macron, në Pallatin Élysée.
Në fokus të bisedimeve mes liderëve do jetë procesi i negociatave Shqipëri-Bashkimi Europian dhe investimet franceze. Ata do të bëjnë një bilanc të disa projekteve, mes të cilave liceu i ardhshëm francez në Korçë, nismat e mbështetura nga grupi AFD në fushat e energjisë dhe mjedisit, si edhe mundësitë e bashkëpunimit në sektorët e transportit, infrastrukturës dhe mbrojtjes.
Kështu njofton zyra e shtypit e Presidencës së Francës.
Vizita zhvillohet në kuadër të dialogut politik të nivelit të lartë ndërmjet Shqipërisë dhe Francës, për forcimin mëtejshëm të partneritetit strategjik mes dy vendeve, dialogun për qasjen e re ndaj procesit të anëtarësimit, për të cilën kryeministri i Shqipërisë ka qenë një ndër zërat më nxitës, si edhe samitin e ardhshëm të NATO-s në Ankara.
Takimi është në vijimësi të takimeve ndërmjet dy liderëve, të cilët janë takuar zyrtarisht në Paris në prill 2024, si dhe në Tiranë në tetor 2023 dhe maj 2025, ndërkohë që janë zhvilluar rregullisht takime në formate të ndryshme multilaterale dhe kontakte telefonike.
Shqipëria vlerëson rolin e Francës dhe angazhimin personal të Presidentit Macron në promovimin e një qasjeje të re ndaj Ballkanit Perëndimor dhe në mbështetjen e perspektivës europiane të rajonit. Në këtë kontekst, vizita në Paris pritet të riafirmojë vullnetin e përbashkët për thellimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve dhe për avancimin e mëtejshëm të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Jo më larg se më 17 qershor,Parlamenti Europian miratoi progres-raportin për vendin tonë duke rikonfirmuar mbështetjen në këtë rrugëtim. “Shqipëria ka si objektiv që të anëtarësohet në BE brenda vitit 2030. Gjithashtu, objektivi është që negociatat të mbyllen brenda vitit 2027. Më shumë se 90% e qytetarëve të Shqipërisë e duan anëtarësimin”, deklaroi Raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder.


