Napoli krijoi më shumë volum loje, pati më tepër raste dhe luajti për rreth 40 minuta me një futbollist më shumë, por në fund fitoi Milan 2–1 të dielën në “San Siro”.
Kryendeshja e javës së pestë të Serie A pati shumë ritëm dhe emocione, ku kampionët e Italisë në fuqi lanë pikët e para në këtë sezon. Saelemaekers kaloi në avantazh të zotëve të shtëpisë që në minutën e tretë, pasi mori një pasim të saktë nga Pulisic. Vetë amerikan, Pulisic, realizoi golin e dytë në të 31’, pas një kombinimi mes Pavlovic dhe Fofana.
Në të 56’, Estupinan mori karton të kuq pasi pengoi në zonë Di Lorenzo, duke shkaktuar 11-metërsh. De Bruyne realizoi për Napoli, por nuk arriti më vonë të barazonte sfidën.
Milan është në vendin e parë, por për trajnerin Massimiliano Allegri, qëllimi kryesor mbetet një vend në Champions League.
“Po rritemi shumë, kemi mundësi të shkojmë më lart, por objektivi ynë duhet të jetë i përbashkët dhe që vitin tjetër të luajmë në Champions. Jemi vetëm në fillim të kampionatit, të shijojmë këtë fitore, por njëkohësisht të mendojmë edhe për ndeshjen me Juventus.”
Për atë që treguan në fushë, trajneri i Napolit, Antonio Conte, nuk ka ankesa për lojtarët e tij.
“Nuk mund të kritikoj futbollistët. Të vish këtu për të luajtur kundër Milan dhe të mbash topin në zotërim për të krijuar raste nuk mund të bëjnë të gjithë, dhe për këtë jam i kënaqur. Kjo ka qenë rruga që sezonin e kaluar na dha diçka që nuk e kishin menduar më parë.”
Serie A kryesohet nga Milan me 12 pikë, po aq sa kanë Napoli dhe Roma, por me golavarazh më të mirë.