Pas 17 ditësh, naftëtarët e shoqërisë “Bankers Petroleum” në Marinzë të Fierit, vendosën që të ndërpresin grevën e urisë, për të vijuar me protesta.
Në total kishin hyrë në grevë urie për rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës, 10 punonjës, ndërsa pjesa tjetër e punonjësve bojkotuan punën.
Në mbledhjen e zhvilluar mbrëmjen e së premtes, ata, pasi kanë analizuar ecurinë e grevës dhe përkeqësimin e shëndetit të shtatë grevistëve të mbetur, vendosën ndërprerjen e saj.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Sindikata e Sektorit Hidrokarbur, theksoi se “këto ditë naftëtarët janë përballur me stres, ankth, pasiguri dhe presione të shumta për t’u kthyer në punë. Kompania, nëpërmjet nënkontraktorëve, ka ndërtuar skema shfrytëzuese që godasin si punonjësit e nënkontraktorëve, ashtu edhe ata të Bankers, përmes pagave të ulëta, kontratave të përkohshme dhe presionit të vazhdueshëm për rinovim”.
Në këtë vendim sipas tyre ka ndikuar edhe qëndrimi i kompanisë.
“Ajo që kemi marrë nga kompania këto ditë, ka qenë papërgjegjshmëri, heshtje, irnoi dhe intimidim, duke i lënë punonjësit në shesh për ditë me radhë.
“Gjendur në këtë situatë, u vendos që për të mos rrezikuar më tej shëndetin e grevistëve, greva e urisë të mbyllet”, njoftoi sindikata.
Ndërkohë, njoftoi më tej sindikata greva e punonjësve do të vazhdojë të jetë e hapur, dhe tubimi i radhës do të zhvillohet të mërkurën, më 05.11.2025, ora 12:15, përpara zyrave të Bankers në Fier.
“Tubime të tjera do të pasojnë sipas datave që do të përcaktojë Sindikata”.
Gjithashtu, sindikata bëri të ditur, se dje zhvilluan një takim edhe me Ministren e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ku u ngritën të gjitha shqetësimet e punonjësve dhe u kërkua zgjidhje e menjëhershme e situatës.
Sipas tyre, Ibrahimaj u zotua se Ministria do të trajtojë me prioritet të gjitha çështjet e ngritura dhe do të luajë rolin e ndërmjetësuesit për gjetjen e një marrëveshjeje midis palëve.
Sindikata ka kërkuar: Rritjen e fondit të pagave me 18%, duke shpërndarë rritjen për punonjësit e fushës dhe ata me paga të ulëta; Zbatimin e ligjit për statusin e naftëtarit dhe përshtatjen e profesioneve sipas ligjit për statusin e naftëtarit; Promovimin sipas meritokracisë dhe jo preferencave personale; Shpërndarjen e drejtë të bonuseve, duke shmangur diferencat mes drejtuesve dhe punonjësve; Rritjen e trajtimit ushqimor nga 9000lekë në 13200lekë në muaj.


