Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muça, prezantoi sot në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme projektligjin “Për pranimin e ndryshimeve të përshtatura më 30 maj 2025 të Memorandumit të Mirëkuptimit të Parisit për Kontrollin Shtetëror Portual”, të bërë në Paris më 26 janar 1982, të cilit Shqipëria i është bashkuar me ligjin nr. 9852, datë 26 dhjetor 2007.
Gjatë prezantimit, Muça theksoi se ndryshimet synojnë përditësimin dhe përmirësimin e standardeve që lidhen me kontrollin shtetëror portual të anijeve në Republikën e Shqipërisë, duke përafruar kuadrin kombëtar me kriteret dhe kërkesat ndërkombëtare.
Ajo shpjegoi se përditësimi i memorandumit sjell standarde më të avancuara për kontrollin teknik të anijeve që lundrojnë dhe ankorohen në portet shqiptare.
“Shqipëria synon përmirësimin e standardeve që lidhen me kontrollin shtetëror portual të anijeve në Republikën e Shqipërisë. Shqipëria i është bashkuar Memorandumit të Mirëkuptimit të Parisit për Kontrollin Shtetëror Portual në vitin 2007. Tashmë, përmes këtij projektligji, synohet përditësimi i kuadrit përkatës, duke përmirësuar standardet që lidhen me kontrollin teknik të anijeve dhe kriteret që duhet të përmbushin anijet që lundrojnë dhe ankorohen në portet shqiptare”, tha Muça.
“Këto standarde lidhen jo vetëm me gjendjen e anijeve, por edhe me sigurinë teknike të tyre, sigurinë e lundrimit, si dhe me parametrat e sigurisë së jetës dhe të kushteve të punës së ekuipazheve në portet shqiptare”, shtoi ajo.
Sipas Muçës, “përmirësimi i standardeve dhe rritja e kapaciteteve që do të sjellë përafrimi i këtyre normave synojnë t’u mundësojnë autoriteteve shqiptare përgjegjëse për kontrollin portual zbatimin e kritereve të përcaktuara nga konventat dhe standardet ndërkombëtare. Këto kërkesa lidhen veçanërisht me sigurinë e lundrimit dhe mbrojtjen e jetës në det”.
Shqipëria duhet të përgatitet për të qenë pjesë e shteteve që zbatojnë këto standarde ndërkombëtare dhe përmbushin kriteret përkatëse, theksoi zëvendësministrja.
Ajo e cilësoi këtë nismë si një hap të rëndësishëm në kuadër të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, veçanërisht për Kapitullin 14, që lidhet me transportin. Muça nënvizoi se një nga objektivat është përgatitja e Shqipërisë për anëtarësimin në Memorandumin e Mirëkuptimit të Parisit, duke përafruar legjislacionin dhe praktikat e kontrollit shtetëror portual me standardet e organizatës.
“Ky është një objektiv i rëndësishëm në kuadër të negociatave të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, veçanërisht për Kapitullin 14, që lidhet me transportin. Një nga detyrimet e marra në këtë proces është përgatitja e Shqipërisë për anëtarësimin në Memorandumin e Mirëkuptimit të Parisit, organizatë kuadri i së cilës përcakton standardet dhe procedurat për kontrollin shtetëror portual”, tha Muça.
Ajo theksoi se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare, po punon për përafrimin e standardeve dhe përgatitjen e masave të nevojshme për zbatimin e këtij akti.
“Përmbushja e këtyre kritereve lidhet gjithashtu me objektivat dhe politikat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në fushën e transportit detar. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare, po punon për përafrimin e standardeve të kontrollit shtetëror portual me kërkesat ndërkombëtare. Synimi është që Shqipëria të arrijë standarde të larta në këtë fushë, duke forcuar sigurinë e lundrimit dhe duke rritur cilësinë e kontrolleve ndaj anijeve që hyjnë në portet shqiptare”, u shpreh Muça.
Sipas zëvendësministres, përditësimi i standardeve do të ndihmojë në rritjen e cilësisë dhe sigurisë së transportit detar, si dhe në forcimin e rolit të Shqipërisë në rajon, duke garantuar që anijet që prekin portet shqiptare të përmbushin kriteret e kërkuara ndërkombëtarisht.
“E gjithë kjo përpjekje synon mbrojtjen e territorit dhe të interesave të Republikës së Shqipërisë, si dhe forcimin e rolit të vendit në rajonin e Mesdheut, përmes zbatimit të kritereve të rëndësishme dhe cilësore për lundrimin detar”, tha ajo.
Muça sqaroi gjithashtu se nisma lidhet me përgatitjet për anëtarësim dhe jo me përmbushjen e kushteve të një anëtarësimi tashmë të realizuar. Ajo bëri të ditur se po punohet për të plotësuar kërkesat përkatëse, ndërsa detyrimet dhe pasojat që mund të lidhen me anëtarësimin do të vlerësohen në përputhje me kuadrin përkatës.
“Zbatimi i këtij akti përbën një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian dhe në përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësim në Memorandumin e Mirëkuptimit të Parisit. Shqipëria nuk është ende në kushtet e anëtarësimit, por po përgatitet për të përmbushur kriteret përkatëse dhe detyrimet që do të rrjedhin nga ky proces. Çështjet që lidhen me pasojat financiare dhe detyrimet e mundshme të anëtarësimit do të vlerësohen në kuadër të përgatitjeve përkatëse”, shtoi ajo.
Projektligji synon kështu të kontribuojë në procesin e integrimit evropian, në standardizimin e kontrollit portual dhe në përmirësimin e sigurisë e të cilësisë së transportit detar në Shqipëri.
“Kjo nismë përbën një hap përpara në procesin e integrimit, standardizimit dhe përmirësimit të cilësisë së transportit detar, në funksion të interesave të Shqipërisë dhe të përmbushjes së angazhimeve ndërkombëtare”, përfundoi Muça.


