Reshjet intensive të shiut në ditët e fundit kanë krijuar problematikë të shtuar në disa qarqe të vendit.
Zonat e Ultësirës Perëndimore, si Durrësi, Fieri dhe Vlora janë tashmë duke u përballur me një situatë më të rënduar. Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin në disa njësi administrative të këtyre qarqeve.
Në zbatim Ligjit “Për Mbrojtjen Civile”, Planin Kombëtar të Emergjencave Civile dhe Planeve Vendore të Emergjencave Civile, si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, është urdhëruar evakuimi i menjëhershëm i banorëve të njësive administrative Sukth dhe Katund i Ri, bashkia Durrës, të njësisë administrative Ferras në bashkinë e Fierit dhe të njësisë administrative Novoselë, në bashkinë Vlorë.
Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), prefektin e Qarkut, si dhe strukturave të Emergjencave Civile në bashki.
Autoritetet e pushtetit qendror dhe vendor, në koordinim me Policinë e Shtetit, Emergjencat Civile dhe strukturat shëndetësore janë në gatishmëri për t’i ardhur në ndihmë banorëve në zonat e përmbytura.


