Hetimet e Prokurorisë Federale të Bruges dhe të zyrës së Prokurorisë Evropiane (EPPO) në Bruksel po zbërthejnë rrjetin e marrëdhënieve mes të dyshuarve dhe personave të tjerë të përfshirë, për të kuptuar nëse ka pasur lidhje apo bashkëpunime që kanë favorizuar dyshimet për mashtrim dhe korrupsion lidhur me dhënien e Akademisë Diplomatike Evropiane Kolegjit të Europës, institucion ku Federica Mogherini ka qenë rektore deri në ndalimin e saj javën e kaluar.
Lidhja Mogherini–Sannino
Federica Mogherini, ish-ministre e Jashtme e Italisë dhe ish-përfaqësuese e lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe Stefano Sannino, ish-ambasador i Italisë në Madrid dhe aktualisht sekretar i Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm (SEAE), njihen prej shumë vitesh. Në Bruksel kjo marrëdhënie përshkruhet si shumë e afërt, në kufijtë e një miqësie të mirëfilltë.
Në hetim është edhe Cesare Zegretti, zyrtar i Kolegjit të Europës që nga viti 2016 dhe bashkëdrejtues i sektorit të trajnimeve dhe projekteve. Ai ka qenë pjesë e ekipit që hartoi projektin fitues për Akademinë Diplomatike në vitin 2021.
Akuza dhe sekuestrime
Të tre u ndaluan të martën e kaluar nga policia belge për akuza që variojnë nga manipulimi i tenderave, mashtrim, korrupsion, konflikt interesi, deri te shkelja e sekretit profesional dhe e rregullave të konkurrencës. Pas orësh të gjata marrjeje në pyetje, ata u liruan, por hetimet vazhdojnë.
Policia ka tashmë një sasi të madhe dokumentesh, të cilave iu shtuan edhe telefonat dhe pajisjet elektronike të sekuestruara në banesat dhe zyrat e tyre. Në këto pajisje mund të gjenden email-e, biseda dhe mesazhe që mund të përfshijnë edhe persona të tjerë.
Pika kyçe: Blerja e një objekti 3,2 milionë euro
Një nga elementet më të rëndësishme të hetimit është blerja, në mars 2022, e një ndërtese në Bruges me vlerë 3,2 milionë euro, e destinuar për akomodimin e 50 studentëve të Akademisë. Blerja dyshohet se është kryer ndërkohë që tenderi ishte ende në zhvillim, një detaj që ka ngritur dyshime për përdorim të informacioneve të brendshme.
Tenderi parashikonte një financim fillestar prej 130 mijë eurosh nga SEAE për organizimin e kursit pasuniversitar, por gjithashtu garantonte rimbursimin e shpenzimeve për akomodim dhe ushqim të studentëve, një mundësi që Kolegjit të Europës i ka sjellë 600 mijë euro të tjera në vitin 2022. Tenderi iu dha sërish Kolegjit edhe për vitin 2023 (960 mijë euro) dhe më pas deri në vitin 2026, ku fondet arrijnë në 1,7 milionë euro në vit.
Dorëheqja e Mogherini-t
Pas marrjes në pyetje, Mogherini njoftoi dorëheqjen nga detyra, duke deklaruar se veprimi i saj është “në përputhje me korrektësinë maksimale” që ka ndjekur gjatë gjithë karrierës.
Në Bruksel, ndërkohë, raportohet se ajo ka qenë nën presion të madh nga mjedisi akademik belg, ku disa zëra e kishin kritikuar edhe para shpërthimit të skandalit.
Hetimet pritet të thellohen, teksa autoritetet analizojnë komunikimet elektronike dhe lidhjet e mundshme që mund të kenë ndikuar në përfitimin e tenderit të shumëdiskutuar.


