14.5 C
Tirana

Meta prezanton syzet me Inteligjencë Artificiale

Më datë:

Kompania teknologjike Meta ka prezantuar linjën e re të syzeve me Inteligjencë Artificiale. Në konferencën vjetore për zhvilluesit “Meta Connect”, drejtori ekzekutiv i kompanisë, Mark Zuckerberg, njoftoi një sërë pajisjesh të reja në bashkëpunim me markat e njohura të syzeve, Ray-Ban dhe Oakley.

Ndër të tjera, Meta prezantoi edhe një byzylyk nervor që lidhet me syzet Meta Ray-Ban Display, duke u mundësuar përdoruesve të kryejnë funksione të tilla si dërgimi i mesazheve përmes lëvizjeve të vogla të dorës.

Kjo risi vjen në një kohë kur Meta, pronare e Facebook, Instagram dhe WhatsApp, përballet me kritika të vazhdueshme për ndikimin e produkteve të saj, veçanërisht tek fëmijët. Para audiencës, Zuckerberg e cilësoi teknologjinë si një “arritje shkencore të jashtëzakonshme”.

Syzet e reja Meta Ray-Ban Display janë të pajisura me një ekran me rezolucion të lartë dhe me ngjyra të plota në njërën lente, që mundëson thirrje me video dhe lexim mesazhesh. Ato gjithashtu përmbajnë një kamerë 12 megapiksel.

Zuckerberg shpreson që linja e re e aksesorëve inteligjentë të Metës do të shërbejë si platformë kryesore për integrimin e mjetit të saj të inteligjencës artificiale, Meta AI, në jetën e përditshme të njerëzve.

Analistët parashikojnë se syzet inteligjente mund të kenë më shumë sukses sesa projekti shumë miliardë dollarësh i Metës për krijimin e Metaverse, bota virtuale që synojnë të lidhin përdoruesit në një mjedis dixhital të përbashkët.

“Ndryshe nga kufjet VR, syzet janë një pajisje që përdoret çdo ditë dhe nuk janë të rënduara apo të bezdisshme”, tha Mike Proulx, drejtor kërkimor në Forrester. Megjithatë, ai shtoi se “Meta duhet të bindë shumicën dërrmuese të përdoruesve që nuk zotërojnë syze me AI, se përfitimet ia vlejnë krahasuar me koston.”

Edhe pse kompania nuk publikon të dhëna të sakta mbi shitjet, raportohet se që nga hyrja në treg në vitin 2023, janë shitur rreth dy milionë palë syze inteligjente. Modeli i ri Display do të dalë në shitje këtë muaj me një çmim prej 799 dollarësh (rreth 586 paund), ndjeshëm më i shtrenjtë se syzet aktuale të Metës.

Leo Gebbie nga kompania kërkimore CCS Insight shprehu skepticizëm për suksesin e këtij modeli të ri, duke theksuar se “Ray-Ban janë mirëpritur sepse janë të thjeshta për përdorim, diskrete dhe me çmim të përballueshëm”.

Zuckerberg prezantoi gjithashtu edhe modelin Oakley Meta Vanguard me çmim 499 dollarë, të synuara për entuziastët e sportit, si dhe gjeneratën e dytë të syzeve Ray-Ban Meta, me çmim 379 dollarë.

Aktualisht, Meta ndodhet në një periudhë investimesh të mëdha për të forcuar kapacitetet e saj në inteligjencën artificiale. Në muajin korrik, Zuckerberg njoftoi se kompania do të shpenzojë qindra miliarda dollarë për ndërtimin e qendrave të të dhënave për AI në Shtetet e Bashkuara, njëra prej të cilave pritet të ketë madhësinë e afro gjithë Manhattan-it.

Këto investime shoqërohen me fushata agresive rekrutimi për të tërhequr talente të nivelit të lartë nga kompanitë rivale. Meta ka deklaruar se synon të zhvillojë atë që e quan “superinteligjencë”, një teknologji AI që potencialisht mund të tejkalojë kapacitetet e mendjes njerëzore.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Berisha: Mbështetje për ish-udhëheqjen politike të Kosovës në Hagë

 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha shprehu sot mbështetjen...

“100 vite larg Evropës në infrastrukturë”, Noka: Bela Mafia ka 10-fishuar vlerën e tenderave

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, akuzoi ministren...

Zbardhen amendamentet e PD, çfarë kërkon opozita për projektvendimin e ngritjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale

Zbardhen amendamentet e Partisë Demokratike për projektvendimin e ngritjes...