Grupi parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh mëngjesin e kësaj të hëne, ku i pranishëm ishte edhe kryesocialisti Edi Rama.
Në mbledhjen që u mendua se do të diskutohej edhe për Arben Ahmetajn për të marrë vendim për përjashtim nga grupi i PS, i cili është i shpallur në kërkim nga SPAK, socialistët nuk dolën me një vendimmarrje.
Nuk do të ketë asnjë ndryshim nga ana e mazhorancës socialiste dhe kjo e fundit do të mbajë të njëjtin qëndrim.
Porosia e Ramës ka qenë që Partia Socialiste të vijojë njësoj me qasjen ndaj opozitës dhe fokusi të jetë tek çështjet e tjera.
Ndërkohë, është diskutuar edhe ndryshimin e rregullores për përjashtimin e deputetëve. Kështu, në seancën parlamentare të 14 Dhjetorit pritet që të votohet ndryshimi i rregullores për përjashtimin deri në 60 ditë të deputetëve, nga 10 ditë që është aktualisht afati maksimal.
Në të njëjtën seancë të 14 Dhjetorit, është parashikuar gjithashtu që të kalojë për votim edhe marrëveshja me Italinë për emigrantët.
Ky projektligj ishte menduar të votohej nga Kuvendi javën e ardhshme, por socialistët e kanë afruar për këtë të enjte.
Mbetet për t’u parë nëse marrëveshja për emigrantët me Italinë do të arrijë të marrë votat e nevojshme nga ligjvënësit, teksa opozita e ka dërguar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.
Rama ka bërë kritika ndaj deputetëve të tij për mungesat në seancë plenare apo mosangazhimin në Parlament.
Mbledhja e grupit parlamentar të PS zgjati më shumë se 60 minuta.


