Këtë të mërkurë, 1 tetor, qeveria firmosi një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Politeknik të Tiranës. Kryeministri Edi Rama, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, theksoi rëndësinë e praktikave të punës për studentët si një mënyrë për të rritur cilësinë e administratës publike dhe për të ndërtuar ura të qëndrueshme mes universiteteve dhe institucioneve shtetërore.
“Qysh kur ne e shpallëm Paktin për Universitetin, procesi i ndërveprimit me universitetin sipas fushave ka njohur zhvillime të vazhdueshme dhe eksperienca na ka mësuar që në këto bashkëpunime, me fakultete të ndryshme, ka shumë për të mësuar, por njëkohësisht ka gjithmonë më shumë për të bërë, dhe programi i sotëm është shprehje e këtij fakti. Por njëkohësisht, përtej këtij programi i cili do të mundësojë rekrutimin për një praktikë të veçantë për një numër studentësh të këtij universiteti, ne duam të shkojmë edhe më tutje dhe të artikulojmë edhe më shumë programe të posaçme të kësaj natyre, për t’u dhënë mundësi të gjithë atyre që studiojnë në këtë universitet të përfshihen në praktika pune të cilat u hapin atyre këtë perspektivë dhe u sigurojnë informacionin e nevojshëm se si të bëhen pjesë e përhershme e trupave të ndryshme në interes të shtetit shqiptar. Nga ana tjetër, për të krijuar ura të reja, kanale të reja bashkëpunimi, në mënyrë që investimet dhe mbështetja e drejtpërdrejtë ndaj universitetit të shkojë në funksion të përfitimit të ndërsjellë. Të materializohet në jetën e përditshme të studentëve, në rritjen e cilësisë së strukturave përkatëse shtetërore.“, tha Rama.
Ndërkombëtarizimi po jep rezultatet e para
Kryeministri foli edhe për procesin e ndërkombëtarizimit të universiteteve shqiptare, i cili, sipas tij, ka filluar të japë rezultate, por kërkon përpjekje të vazhdueshme nga qeveria dhe institucionet arsimore për të rikuperuar kohën e humbur.
Rama theksoi gjithashtu përpjekjet për të sjellë prurje akademike nga jashtë dhe për t’u dhënë studentëve mundësinë të përfitojnë nga programet më të avancuara, sikur të ishin në universitetet më të njohura ndërkombëtare.
“Praktikat e punës tani janë bërë rutinë dhe çdo vit kemi një numër të konsiderueshëm studentësh, të cilët kanë mundësi të shfrytëzojnë këto praktika pune për të eksploruar frontin e punës në jetën e përditshme. Siç e tha rektori para meje, ndërkombëtarizimi është një proces që ka filluar të japë rezultatet e para, por kërkon që qeveria dhe trupa e universiteteve të shtyjnë më shumë për të rifituar shumë nga koha e humbur. Po bëjmë shumë përpjekje të sjellim prurje akademike nga bota, por edhe për t’u hapur ndaj botës dhe t’u krijojmë studentëve mundësinë të marrin, sikur të ishin jashtë, atë çka bota jashtë në gjithë rrjetin e universiteteve të veta ofron.“, tha Rama.
Integrim të IA-së në universitetet shqiptare
Gjatë fjalimit të tij përpara Universitetit Politeknik të Tiranës për bashkëpunimin e këtij të fundit me Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës, Rama u ndal tek rëndësia e Inteligjencës Artificiale.
Përveçse komponentit të barazisë gjinore, Rama u shpreh se është e rëndësishme që në ambientet universitare shqiptare të jetë e integruar dhe IA.
Ndaj, kreu i qeverisë u shpreh se do të ketë përgatitje në buxhetet e ardhsëm për komponentin e rëndësishëm të Inteligjencës Artificiale në universitete. Për pedagogët dhe studentët, Rama u bëri thirrje që ta “përqafojnë” këtë komponent të rëndësishëm.
“Ne do të përgatitemi që dhe në buxhetin e vitit të ardhshëm, e në buxhetet e viteve të ardhshme, të kemi një komponent që të mbështesim, të gjitha sprovat që do ja vlejnë të mbështetën në këtë drejtim dhe për këtë arsye, përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje pedagogëve, t’u bëj thirrje studentëve që të angazhohen sa më shumë për të punuar së bashku në funksion të rritjes së komponentit të Inteligjencës Artificiale në të gjithë hapësirat e universiteteve tona”, tha kryeministri.
Këto deklarata Rama i bëri sot gjatë firmosjes së një marrëveshjeje mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Universitetit Politeknik të Tiranës. Marrëveshja e firmosur sot lidhet pikërisht me përgatitjen e studentëve përmes praktikave të paguara të punës, me qëllim aftësimin e tyre profesional, si dhe njohjen nga afër në terren me të gjitha proceset e zhvillimit të infrastrukturës.