Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensenme ka deklaruar se nga 15 marsi do të fillojë zbatimi i plotë i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, të cilat sipas tij janë në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian.
Kurti theksoi se zbatimi i këtyre ligjeve synon të rrisë sigurinë individuale dhe kombëtare, si dhe të mundësojë një menaxhim më efikas të migrimit dhe qarkullimit në trafik.
Ai rikujtoi se që nga 15 janari ka nisur faza e parë e zbatimit, e cila është përqendruar kryesisht në informimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve për obligimet dhe të drejtat që burojnë nga këto dy ligje.
“Nga data 15 fillon zbatimi i plotë i dy ligjeve të rëndësishme për sigurinë tonë si individuale ashtu edhe nacionale, por edhe për menaxhim efikas të migrimit si dhe qarkullimit në trafik, është fjala për Ligjin për të Huajt dhe atë për vetura, të dyja këto në harmoni të plotë me direktivat e BE-së, duke filluar nga data 15 janari të këtij viti ne kemi nisur me fazën e parë të zbatimit të këtyre ligjeve, fazë kjo më shumë e informuar në qartësim, informim dhe vetëdijesim për qytetarët rreth obligimeve dhe të drejtave shtesë të cilat burojnë për ta nga dispozitat e këtyre dy ligjeve, jam i sigurt se të gjithë ne do të dalim fitues nga zbatimi i këtyre dy ligjeve. Të huajt do të kenë më shumë siguri gjatë qëndrimit të tyre në vend, më shumë parashikueshmëri e më shumë efikasitet gjatë përpunimit të aplikimeve të tyre”, ka deklaruar Kurti në konferencë për media.
Kreu i Qeverisë bëri të ditur se Qeveria do të bashkëpunojë me krerët lokalë për të siguruar listat e stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në ofrimin e shërbimeve në vend.
Ai po ashtu shtoi se ministria e Punëve të Brendshme do të iu mundësojë studentëve leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj me mundësi vazhdimi.
“Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me lista të stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Lista që do shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë në MPB. E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë, për të cilët krerët komunale do ofrojnë listën e plotë. Këtyre studentëve MPB do ju ofrojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj me mundësi vazhdimi”, ka thënë ai.
Sipas Kurtit, Qeveria do të hapë edhe një periudhë të re tre mujore për qytetarët serbë që të regjistrojnë gjendjen civile.
“Qeveria po ashtu do hap një dritare të re 3-mujore për të mundësuar qytetarëve serbë të “regjistrojnë faktet civile që deri më 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë aplikantëve do u lejohet përdorimi si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale”, theksoi ai.


