Kryeministri spanjoll paralajmëron falje për liderët e burgosur katalonjas

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez njoftoi se do të propozojë falje për 9 liderë separatistë katalonjas të burgosur, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për një audiencë në teatrin historik Liceu në Barcelona, Sanchez tha se ai do ta paraqesë propozimin e tij në një takim të kabinetit të martën, ku pritet të miratohet.

Faljet zbatohen për politikanët dhe aktivistët katalonjas që qëndronin pas përpjekjes së dështuar të pavarësisë të vitit 2017 dhe referendumit të paligjshëm. Ata janë dënuar nga gjykata, me dënimin më të lartë deri në 13 vjet burg.

“Nëse ka një kohë për t’u bashkuar, është tani. Këtu duhet të fillojmë udhëtimin për të jetuar së bashku në mënyrë harmonike dhe në normalitet”, theksoi ai, duke shtuar: “Peizazhi i pandemisë na ka transformuar. Ne e kuptojmë se ajo që me të vërtetë është e rëndësishme, është jeta. Ne e kuptuam se sa kemi nevojë për njëri-tjetrin”.

Njoftimi i tij, megjithatë, nuk ishte i mjaftueshëm për të kënaqur të gjithë aktivistët separatist katalonjas. Qindra njerëz piketuan ngjarjen, duke thënë se faljet nuk mjaftojnë. Ata po kërkojnë amnisti për udhëheqësit politikë, përfshirë ata që u larguan nga vendi si dhe një referendum për pavarësi.

Disa udhëheqës kryesorë katalonjas, përfshirë presidentin aktual Pere Aragones, refuzuan të merrnin pjesë në aktivitet. Disa persona gjithashtu ndërprenë fjalimin e kryeministrit në teatrin e siguruar mirë.

Jashtë qarqeve të pavarësisë, faljet janë gjithashtu jopopullore. Sipas një sondazhi të kryer për gazetën El Mundo, 61 për qind e spanjollëve janë kundër faljes së liderëve të pavarësisë katalonjase.

Por, Sanchez këmbënguli se masa do të ofrojë një fillim të ri për Spanjën dhe Katalonjën pas viteve të tensionit. Ai gjithashtu mbrojti ligjshmërinë e faljeve.

“Ky është një projekt i ri për Spanjën, një hapësirë e re pa gabime të së kaluarës. Ne duhet të ndalojmë përpjekjet për t’u përçarë me njëri-tjetrin dhe jam i bindur se ky është konsensusi i madh i popullit katalonjas dhe spanjoll”, tha ai.

Kryeministri spanjoll nuk dha asnjë aluzion për të ofruar një referendum për pavarësi ose për të ndryshuar Kushtetutën për ta lejuar një të tillë.

“Unë nuk mund ta konceptoj Spanjën pa Katalonjën, ose Katalonjën pa Spanjën”, tha ai.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi