Është publikuar fotoja e Emiljan Sutit, i njohur edhe me emrin Artur Suti, i cili është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit si autori i dyshuar i vrasjes së 40-vjeçarit Ilir Gjini, të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Laç.
Sipas hetimeve paraprake, Suti dyshohet se ka qëlluar disa herë me armë zjarri ndaj viktimës, në momentin kur ai kishte zbritur nga automjeti dhe po hynte në pallatin ku banonte.
Sipas burimeve, 40-vjeçari, i njohur edhe me mbiemrat Kokaj, Lika dhe Nure, ka qenë në këmbë në momentin kur është qëlluar me shtatë plumba, ndërsa po i drejtohej hyrjes së pallatit ku banonte.
Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar, Emiljan Suti alias Artur Suti. Sipas të dhënave paraprake, ai ka hapur zjarr menjëherë pasi viktima kishte parkuar automjetin. Edhe pse ka tentuar të largohet, 40-vjeçari është ndjekur dhe është qëlluar sërish pranë hyrjes së godinës.
Ai është transportuar drejt spitalit, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë gjatë rrugës.
Burimet bëjnë me dije se viktima dhe autori i dyshuar ishin fqinj, pasi banonin në të njëjtën lagje. Në kuadër të hetimeve, në komisariat janë shoqëruar nëna dhe vëllai i autorit të dyshuar, ndërsa kontrollet për kapjen e tij vijojnë.


