Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi zhvilloi një takim me Eljo Muçaj, drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore me të cilin bisedoi lidhur me zbatimin e Memorandumit të Bashkëpunimit mes dy institucioneve dhe planin e përbashkët të punës me qëllim përmirësimin e tregut të punës në sektorin e medias audio dhe audiovizive.
Gjatë takimit Krasniqi dhe Muçaj diskutuan mbi progresin në zbatimin e objektivave të përbashkëta, situatën e sektorit të medias për vitin 2025 dhe tremujorin e parë 2026 si dhe prioritetet për periudhën në vijim.
Të dhënat e prezantuara nga Muçaj në takim tregojnë se tregu mediatik mbetet një treg shumë dinamik, i ndryshueshëm, por edhe sfidues.
Gjatë vitit 2025, nga ankesat e trajtuara që lidhen me median, të cilat përbëjnë rreth 22% të totalit të inspektimeve, rezulton se 76% e tyre janë zgjidhur në favor të punonjësve.
Veçanërisht, fakti që 76% e ankesave janë zgjidhur në favor të punonjësve përbën një tregues domethënës të efektivitetit të inspektimit dhe rëndësisë së bashkëpunimit ndërinstitucional në mbrojtjen e të drejtave në sektorin e medias.
Ndërsa për këtë vit, Inspektorati ka trajtuar 7 ankesa nga sektori mediatik dhe ka kryer 46 inspektime të planifikuara, me këto shkelje të identifikuara: 55% i përkasin dispozitave të Kodit të Punës, kryesisht në fushën e marrëdhënieve të punës; 9.3% lidhen me legjislacionin për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; 2% me kushtet e punës, sigurinë dhe shëndetin në punë.
Kryetarja e AMA-s Krasniqi theksoi se “mbetemi të gatshëm dhe plotësisht të angazhuar për të mbështetur dialogun e nisur me përfaqësues të industrisë mediatike, gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile, të cilët kanë ngritur shqetësime konkrete mbi kushtet e punës, informalitetin dhe respektimin e të drejtave të punonjësve në sektor”.
Krasniqi dhe Muçaj lanë të hapur vazhdimësinë e aktiviteteve të përbashkëta dhe koordinimin institucional për adresimin konkret të çështjeve të evidentuara dhe për forcimin e standardeve në tregun mediatik.


