KQZ është mbledhur sot në një seancë për të vendosur për mandatin e Kreshnik Hajdarit, kryetar i Bashkisë së Kuçovës, i cili gënjeu në formularin e dekriminalizimit ku fshehu dënimin e tij në 1999 në Greqi. Pritet të jepet vendimi për mandatin e tij.
Ndërkohë, pala mbrojtëse ka justifikuar se nuk ka asnjë shkak për të ndërprerë mandatin.
“Nuk ka asnjë shkak për të justifikuar ndërprerjen e mandatit të Kreshnik Hajdarit”, u tha nga avokatët.
“Nuk ka rëndësi cili ka qenë dënimi, por fakti se ky dënim nuk është deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Ai jo vetëm që nuk e ka deklaruar por është edhe përgjegjës për veprën penale të konstatuar. Ligji nuk i referon zotit Hajdari nëse duhet të vlerësojë kushtet ndaluese apo jo, këtë e bën ligji”- tha përfaqësuesi ligjor i “BF”-së.
Avokati mbrojtës Theodhori Sollaku tha se nuk ka arsye për marrje të masës së ndërprerjes së mandatin, pasi Hajdari ka qenë vetëm 16-vjeç në atë kohë e nuk rezulton të ketë masë dënimi për të.
Po ashtu pala mbrojtëse kërkoi që seanca të mos zhvillohej në prani të mediave pasi ka karakter administrativ dhe nuk mund të zhvillohet spektakël.


