Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, rrëzoi kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, në gjykimin e dosjes së Gërdecit.
Kërkesa ishte bërë nga mbrojtja e ish-ministrit në seancën e 24 shkurtit me argumentin se Gjoka ka qenë edhe gjyqtare e seancës paraprake dhe nuk mund të shqyrtojë edhe çështjen në themel.
Kërkesa e Mediut u rrëzua sot nga gjyqtarja Atalanta Zeqiraj që argumentoi se kërkesa ishte në papajtueshmëri me afatet procedurale.
Ish-ministri Fatmir Mediu, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për kryerjen e veprës penale “shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim. Vetë Mediu i ka kundërshtuar akuzat e ngritura dhe gjetjet e ekspertëve.
Çështja për Mediun u hap nga kallëzimi i familjes Durda, e cila humbi fëmijën në tragjedinë e Gërdecit në vitin 2008, që u mori jetën 26 personave dhe plagosi 300 të tjerë.


