Kavaja ka përkujtuar 27 Nëntorin 1912, një datë të veçantë në historinë e qytetit të Kavajës. Një ditë përpara shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912, edhe Kavaja ngriti flamurin kombëtar, duke u bërë pjesë e momenteve historike të përpjekjeve për mëvetësinë e Shqipërisë.
Përtej aktit simbolik të ngritjes së flamurit, qyteti mbart edhe një kontribut të rëndësishëm në mbështetjen e Ismail Qemalit dhe udhëtimin e tij drejt Vlorës, ku do të shpallej Pavarësia e Shqipërisë.
Në përkujtim të kësaj date, Bashkia e Kavajës organizoi ceremoninë zyrtare të ngritjes së flamurit kombëtar në sheshin përpara institucionit.
Nën tingujt e bandës frymore të qytetit dhe në praninë e qindra qytetarëve, kryetari i Bashkisë, Fisnik Qosja, i shoqëruar nga përfaqësues dhe personalitete të pushtetit vendor, ngriti flamurin kuqezi.
Ceremonia u pasua nga një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike, të zhvilluara në ambientet e Kinoteatrit dhe Pallatit të Kulturës “Mustafa Krantja”.
Përmes këtyre veprimtarive, Kavaja rikujton një nga momentet e rëndësishme të historisë së saj dhe nderon kontributin e qytetarëve të saj në ngjarjet që i paraprinë dhe shoqëruan shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.


