Katari, Turqia dhe Rusia, në përpjekje për zgjidhjen e krizës siriane

Ministrat e Jashtëm të Shtetit të Katarit, Turqisë dhe Rusisë zhvilluan dje në Doha, një takim për të diskutuar rreth krizës siriane dhe mënyrave të bashkëpunimit për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme politike.

Ministrat theksuan angazhimin e tyre për ruajtjen e sovranitetit, pavarësisë, unitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Sirisë në përputhje me Kartën e OKB.
Ata shprehën bindjen se nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin sirian, duke riafirmuar angazhimin e tyre për avancimin e procesit politik të lehtësuar nga OKB, i cili mbështet përpjekjet e palëve siriane për të arritur një zgjidhje politike në përputhje me Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit dhe Komunikatën e Gjenevës të 2012.

Ministrat theksuan vendosmërinë e tyre për të luftuar terrorizmin në të gjitha format e tij dhe shpallën qëndrimin e tyre kundër agjendave separatiste që minojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë, apo që kërcënojnë sigurinë kombëtare të vendeve fqinje.
Ata nënvizuan rolin e rëndësishëm të Komisionit Kushtetues dhe sigurimin e respektit të palëve siriane për kompetencat dhe rregullat bazë të procedurave të tij, duke mbështetur çdo angazhim konstruktiv pa ndërhyrje të huaj në punën e këtij Komisioni.

Ministrat ripohuan qëndrimin e tyre pozitiv për kontributin që i Dërguari Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Siri, Geir Pedersen, po jep në punën e Komisionit Kushtetues përmes bashkëveprimit me palët siriane dhe delegatët e Komisionit, për të siguruar që puna e tij të jetë e qëndrueshme dhe efektive në arritjen e një reformë kushtetuese.
Ata u shprehën shumë të shqetësuar për situatën humanitare në Siri, ndikimin e pandemisë së COVID-19 dhe sfidën e thellë që ajo paraqet për sistemin shëndetësor sirian, si dhe për kushtet sociale, ekonomike dhe humanitare në vend. Në këtë drejtim, u është bërë thirrje Kombeve të Bashkuara dhe agjencive të saj, veçanërisht Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që përmes nismës COVAX, t’i jepet përparësi vaksinimit brenda Sirisë.

Ministrat theksuan nevojën për të rritur ndihmën humanitare për të gjithë sirianët anembanë vendit pa diskriminim, politizim dhe kushte paraprake, në mënyrë që të përmirësohet situata humanitare në Siri dhe të bëhen përparime në procesin e zgjidhjes politike. Ata i drejtuan thirrje komunitetit ndërkombëtar, OKB-së dhe agjencive humanitare për të rritur përpjekjet e tyre në këtë drejtim.
Ministrat pohuan nevojën për të lehtësuar kthimin e sigurt dhe vullnetar të refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit. Në këtë drejtim, ata shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar ndërveprimin me të gjitha palët përkatëse, duke përfshirë Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe agjencitë e tjera të specializuara ndërkombëtare.

Sikurse theksuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe të mbështetjes për nismat e ndërtimit të besimit mes palëve siriane në lidhje me lirimin e të paraburgosurve, veçanërisht grave, fëmijëve dhe të moshuarve. Sipas tyre, kjo do të kontribuonte në avancimin e procesit politik, duke krijuar atmosferë pozitive midis palëve siriane mbi bazën e besimit reciprok.
Ministrat e Jashtëm të Turqisë dhe Federatës Ruse shprehën mirënjohjen e tyre për Shtetin e Katarit për mikpritjen e takimit të parë konsultativ mbi Sirinë në Doha.
Ministrat vendosën të ngarkojnë të dërguarit e tre vendeve për të vazhduar përpjekjet në realizimin e synimeve të përbashkëta që përmenden në këtë deklaratë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi