Një analizë e thjeshtë gjaku mund të zbulojë rrezikun e padukshëm të sëmundjeve të zemrës

Më datë:

Një grimcë e trashëguar në gjak, që zakonisht nuk matet në analizat standarde të kolesterolit, mund të rrisë ndjeshëm rrezikun për goditje në tru dhe vdekje kardiovaskulare, edhe te personat që ushqehen shëndetshëm dhe ushtrohen rregullisht, sipas një studimi të ri të prezantuar në Konferencën Shkencore të SCAI 2026, në Montreal.

SCAI është Shoqata për Angiografi dhe Ndërhyrje Kardiovaskulare.

Studimi u botua në “ScienceDirect” dhe u drejtua nga Subhash Banerjee, kardiolog në Spitalin “Baylor Scott & White” në Dallas, dhe analizoi të dhënat e 20 070 të rriturve – nga tre prova të mëdha klinike të sponsorizuara nga Institutet Kombëtare të Shëndetit (NIH), në SHBA.

Pjesëmarrësit u ndoqën për afro katër vjet.

Sipas rezultateve, personat me nivele shumë të larta të lipoproteinës(a), të njohur si Lp(a), konkretisht 175 nmol/L ose më shumë, kishin rrezik, dukshëm më të lartë, për goditje të rëndë kardiovaskulare.

Rreziku ishte veçanërisht i shtuar për goditje në tru dhe vdekje nga sëmundjet e zemrës, sidomos te personat që kishin tashmë histori me probleme kardiovaskulare.

Lp(a) është një grimcë që transporton kolesterolin dhe ngjan me LDL-në, por përmban një proteinë shtesë – që mund ta bëjë më të dëmshme për enët e gjakut.

Ndryshe nga kolesteroli i zakonshëm, niveli i saj përcaktohet kryesisht nga gjenetika – ndërsa ndryshimet në dietë apo aktivitet fizik kanë pak ndikim.

Ekspertët vlerësojnë se rreth një në pesë persona mund të ketë nivele të larta pa e ditur.

Studiuesit theksuan se një analizë e vetme gjaku për Lp(a) mund të ndihmojë në identifikimin e këtij rreziku të fshehur, pasi shumica e njerëzve nuk shfaqin simptoma.

Megjithatë, studimi nuk gjeti lidhje të qartë mes niveleve të larta të Lp(a) dhe rrezikut për infarkt, duke sugjeruar se ky faktor lidhet më shumë me goditjen në tru dhe vdekje që shkaktohet nga sëmundjet e zemrës.

Sipas autorëve, gjetjet mund të ndikojnë në mënyrën se si mjekët vlerësojnë rrezikun e pacientëve, ndërsa terapi të reja specifike për uljen e Lp(a) pritet të dalin në vitet e ardhshme.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Kosovë, numrat me të cilët do të garojnë subjektet politike në zgjedhjet e 7 qershorit

/Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka bërë tërheqjen e...

Alarm i ri për shpërthimin vdekjeprurës të Ebolës në Afrikë, 80 të vdekur

Një alarm i ri shëndetësor është ngritur pas një...

Grabitet me armë argjendaria në Kamëz

Policia me anë të një deklarate për mediet sot...

Era e fortë dhe reshjet intensive sjellin probleme në Durrës

Era e fortë dhe reshjet intensive kanë sjellë probleme...