Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina, përmes një reagimi në rrjetet sociale ka denoncuar drejtoreshën e një kopshti në Kamzë, e cila u ka kërkuar prindërve të fëmijëve të regjistruar në atë institucion të blejnë mjete didaktike, ose të paguajnë 5000 lekë.
Sipas Karabinës, kjo është një shkelje e ligjit dhe kodit të etikës.
“Në shkelje hapur të ligjit dhe kodit të etikës, drejtoria e kopshtit i ka shpërndarë këtë listë (paçavure e turpshme) mjetesh didaktike prindërve që çojnë për herë të parë fëmijët 3- vjeçarë në kopsht. Dhe nëse nuk sjellin këto mjete në listë, mundësia tjetër është që prindi të paguajë 50 mijë lekë (të vjetra), orienton edukatorja”, shkruan Krabina.
“Me këtë listë mjetesh, duket që kopshti qenka një “haur” pasi prindi gjithçka duket ta sigurojë vetë, përveç mureve dhe edukatoreve… Ndërkohë, Bashkia Kamzë ka zë të veçantë në buxhet për pajisjen e kopshteve dhe shkollave me mjete mësimore dhe kualifikim profesional të stafit. Është detyrim ligjor i Bashkisë të krijojë kushte të domosdoshme për mësim, argëtim dhe jetesë të përbashkët të fëmijëve”, nënvizon Karabina.
Zëdhënësja e PD thekson se disa nga mjetet e kërkuara nuk janë të lejuara për fëmijët e asaj moshe.
“E para, në listën e mjeteve të kërkuara, disa prej tyre janë të ndaluara të përdoren për fëmijë tre e katërvjeçare, gërshërë e prefëse. E dyta, është flagrante dhe i rëndë “shënimi” ku në formë taksative detyron prindin që të paguaj 10 mijë lekë (të vjetra). Me ç’ të drejtë Është absolutisht në dëshirë të prindit nëse ka mundësi të kontribuojë vullnetarisht për kopshtin deri më 10 mijë lekë (të vjetra)”, thekson Karabina.
“Dhe, gabim konceptual apo nga padija, mbështetja monetare nga prindi nuk është për bordin e kopshtit, por për të përmirësuar shërbimin dhe ky kontribut menaxhohet dhe kontrollohet nga Bordi i Prindërve. Prindërit në mirëkuptim do të bënin ç’të mundnin për fëmijët e tyre, por jo pa filluar kopshti ta pajisin atë me mjete didaktike dhe të detyrohen të paguajnë!”, shprehet Karabina
“Ky skandal dëshmon qartazi gjendjen e mjeruar në të cilën është përkujdesja dhe edukimi i fëmijëve në kopshte! Është një rast, por jo i vetëm…”, përfundon zëdhënësja e Partisë Demokratike.