Autoriteti i Aviacionit Civil i Iranit ka konfirmuar se avioni ukrainas, i cili u rrëzua mbi kryeqytetin Teheran më 8 janar, është goditur me dy raketa.
Në raportin e dytë të hetimit paraprak të publikuar nga zyra e aksidenteve e Autoritetit të Aviacionit Civil thuhet se avioni ukrainas u godit nga dy raketa të lëshuara nga sistemi i mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër TOR-M1.
Ndër të tjera thuhet se Komisioni i hetimit të aksidentit i formuar sipas rregullave të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) vazhdon punimet e tij dhe se në ekipin e inspektimit janë të përfshirë edhe ekspertë nga Ukraina.
– Nga Franca dhe SHBA janë kërkur pajisje për inspektimin e kutive të zeza
Në raport thuhet se në Iran nuk ka pajisje të mjaftueshme për të lexuar memorien e kutive të zeza të avionit dhe se për analizimin e kutive të zeza në Iran janë kërkuar pajisje nga Franca dhe SHBA, të cilat akoma nuk kanë dhënë përgjigje pozitive lidhur me këtë kërkesë.
Më 8 janar, të gjithë 167 pasagjerët dhe 9 anëtarët e ekuipazhit në avionin Boeing 737, i cili u ngrit në fluturim nga aeroporti ndërkombëtar “Imam Humeyni” në Teheran drejt kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, humbën jetën pasi avioni u rrëzua nga raketat iraniane menjeherë pas ngritjes nga aeroporti.
Tragjedia e avionit ndodhi disa orë pasi Irani lëshoi dhjetra raketa balistike në bazat ajrore që strehonin trupat amerikane në Irak, si përgjigje ndaj vrasjes së gjeneralit të lartë iranian Qasem Soleimani në një sulm me dron amerikan pranë aeroportit të Bagdadit më 3 janar.
Shtabi i Përgjithshëm i Iranit në një deklaratë më 11 janar deklaroi se avioni i pasagjerëve u godit gabimisht nga sistemi i mbrojtjes ajrore si rezultat i një “gabimi njerëzor” derisa avioni po kalonte mbi “një pikë të ndjeshme ushtarake”.
Gazeta “New York Times” javën e kaluar publikoi pamje që tregonin se avioni i udhëtarëve ishte goditur nga dy raketa të Iranit.