17.5 C
Tirana

IPARD, Balla: Nënkomision për fondet e bujqësisë. Bardhi: Abuzim me vlerën 15 milionë euro

Më datë:

Në seancën plenare në Kuvend, sot u diskutua edhe kërkesa e Partisë Demokratike për ngritjen e një Komisioni Hetimor për fondet e IPARD-it, e cila u rrëzua me 72 vota kundër.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla u shpreh se “kërkesa e ka futur kërkesën në pamundësi për ta miratuar”.

Balla u kërkoi deputetëve të opozitës që të heqin dorë nga strategjia e vetëpersekutimit, që sipas tij, e kanë nisur prej 35 ditësh në Kuvend, duke pretenduar se nuk u miratohen kërkesat.

“Sillini kërkesat si duhet! Konkluzioni është se një nënkomision i posaçëm do të miratohet sot në Kuvendin e Shqipërisë si një komision i përhershëm për këtë çështje që keni kërkuar. Sillni emrat e anëtarëve dhe në Komisionin e Bujqësisë, nënkomisioni do merret me çdo cent për fondet e bujqësisë”, tha Balla.

Balla u ndal sërish te protesta e paralajmëruar ditën e nesërme nga veteranët e UÇK-së, duke kërkuar pjesëmarrje nga të gjithë në këtë protestë mbarëkombëtare.

“Nga kjo foltore jo si politikan, as si kryetar i grupit të PS-së, shpreh atë që mbahet fshehurazi këtu, që mbi partinë të vini Shqipërinë. Dilni nga urdhri dhe hajdeni nesër në protestën mbarëkombëtare. Nuk jemi ne organizatorë, janë organizata e veteranëve të UÇK-së”, tha Balla.

“Popull shqiptar, kudo që ka shqiptarë, është në nderin e secilit prej nesh të jemi nesër përkrah veteranëve të UÇK-së mes popullit! Përpjekja për ta bërë pis idealin e UÇK-së, duhet të marrë nesër nga Tirana përgjigje nga të gjitha palët”, tha Balla.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi në replikë me Ballën, tha se në vitin 2015, Kuvendi i Shqipërisë miratoi marrëveshjen kuadër ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave dhe Komisionit Evropian për rregullat e zbatimit të mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, në kuadër të instrumentit për asistencën e paraanëtarësimit IPA II.

“Kjo marrëveshje përbënte kuadrin ligjor, mbi të cilin Bashkimi Evropian do niste shpërndarjen e dhjetëra milionë euro ndihmë financiare për Shqipërinë në vitet e ardhshme. Një ndër instrumentet e mbështetjes përfshinte pikërisht sektorin e bujqësisë, nëpërmjet Programit IPARD II. Ky program parashikonte mbështetje financiare në vlerën e 94 milionë euro për fermerët shqiptarë, ku financimi ndahej në masën 75% nga Bashkimi Evropian dhe 25% nga Qeveria shqiptare”, tha Bardhi.

“OLAF i rekomandoi Komisionit Evropian ta konsiderojnë një pjesë të financimit të thirrjes së parë dhe të dytë për programin IPARD II në shumën 33 milionë euro të papranueshme, çka më pas solli edhe pezullimin e këtyre fondeve. Po ashtu, u pezulluan edhe fondet e programit IPARD III në shumën 112 milionë euro. Pra, si rezultat i shkeljeve serioze të ligjit dhe kontratave, të cilat vetë OLAF i konsideroi si “kriminale” dhe “korruptive”, fermerëve shqiptarë iu mohua mundësia për të përfituar 112 milionë euro mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian”, pohoi Bardhi.

Sipas Bardhit, gjetjet dhe konkluzionet, zyra e OLAF ua përcolli edhe autoriteteve shqiptare, përfshirë edhe Strukturën e Posacme Antikorrupsion për hetime më të thelluara dhe marrjen e zyrtarëve të përfshirë në përgjegjësi penale.

“Të dhënat e abuzimit dhe paligjshmërisë me fondet e programit IPARD II u konfirmuan edhe nga një auditim i kryer nga kompania gjermane FTI Consulting, e kontraktuar nga Ministria e Financave në Tetor 2024. Sipas përgjigjes zyrtare që AZHBR i ka kthyer mediave investigative, rezulton se abuzimi kapte vlerën e 1.5 miliardë lekëve ose 15 milionë euro. Sipas AZHBR, nga 431 përfitues të 94 milionë euro nga fondet IPARD II, 164 subjekte kanë abuzuar me fondet e taksapaguesve evropianë. Nga kjo listë rezulton se 86 subjekte tashmë kanë kthyer vlerën e 1.7 milionë euro, ndërsa 85 subjekte të tjera duhet të kthejnë edhe 13 milionë euro abuzime”, vijoi ai.

“Pikërisht, për këto arsye, në datën 3 Tetor 2025, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar zhvillimin e një mocioni me debat dhe ngritjen e një Komisioni të Posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë lidhur me masat që duhet të marrë Kuvendi i Shqipërisë që të sigurohen mekanizmat e nevojshme që mbrojnë interesat financiare të BE-së nga abuzimi, paligjshmëria, korrupsioni, dhe që sjellin përfitimin e fondeve nga fermerët shqiptarë”, theksoi Bardhi.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Berisha: Mbështetje për ish-udhëheqjen politike të Kosovës në Hagë

 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha shprehu sot mbështetjen...

“100 vite larg Evropës në infrastrukturë”, Noka: Bela Mafia ka 10-fishuar vlerën e tenderave

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, akuzoi ministren...

Zbardhen amendamentet e PD, çfarë kërkon opozita për projektvendimin e ngritjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale

Zbardhen amendamentet e Partisë Demokratike për projektvendimin e ngritjes...