Disa objekte energjetike ukrainase janë goditur në një sulm të rëndë ajror rus, tha sot në mëngjes kompania ukrainase e energjisë “Ukrenerho”, ndërsa dronët ukrainas shënjestruan depot e karburantit në Rusi gjatë natës.
“Ukrenerho” raportoi dëme nga rajonet Vinnytsia, Dnipropetrovsku, Donetsku dhe Kievi, duke thënë se shkalla e saktë ishte ende duke u hetuar.
“Dëmi në rajonin Vinnytsia të Ukrainës u shkaktua nga mbeturinat e një droni luftarak rus të rrëzuar”, tha në Telegram guvernatori rajonal Serhiy Borsov.
Sipas administratës rajonale, një linjë elektrik dhe një impiant industrial i paspecifikuar u goditën në rajonin e Kievit.
Shpërthime u raportuan gjatë natës nga qyteti Dnipro dhe rajoni i Zaporizhias.
Sipas forcave ajrore ukrainase, Rusia përdori katër raketa lundrimi, dy raketa të drejtuara dhe 27 dronë luftarakë në sulmin e kombinuar.
“Të gjithë dronët dhe pesë nga raketat e tjera u kapën”, sipas komandantit Mykola Oleshchuk.
Tre raketa balistike Iskander-M nuk mund të kapeshin, sipas ushtrisë ukrainase. Raketat Iskander, të cilat kanë një rreze veprimi deri në 500 kilometra, kapen rrallë.
“Ndërkohë, sulmet me dronë ukrainas shkaktuan zjarre në dy depo karburanti gjatë natës”, sipas autoriteteve ruse.