Më shumë se 7.000 njerëz në Indonezi janë dëmtuar nga përmbytjet të cilat nga dita e djeshme po vazhdojnë në provincën Kalimantani Lindor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas gazetës Jakarta Post, reshjet intensive kanë shkaktuar përmbytje në nëntë zona të rajonit Samarinda.
Hendrha A.H, kryetar i Agjencisë për Menaxhimin e Fatkeqësive (BPBD) në Samarinda, ka thënë se 7.213 persona janë prekur nga përmbytjet, duke shtuar se aktualisht nuk është raportuar për të vdekur.
Ai ka njoftuar se uji në disa pika ka arritur lartësi në mbi një metër dhe shtoi se aktualisht po vazhdojnë aktivitetet humanitare dhe ato për evakuimin e të prekurve.
Ndryshe, mbi 60 persona humbën jetën si pasojë e stuhive dhe përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e fuqishme në Xhakartë, Depok, Bekasi dhe Tangerang dhe rajonet Bogor dhe Lebak në natën e vitit të ri.
Për shkak të pozitës në brezin ekuatorial, Indonezia përballet me përmbytje dhe stuhi të shpeshta në periudhën midis muajit tetor dhe prill.