Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj zhvilloi sot një takim me zëvendëskomisioneren e Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për Rrjetet e Komunikimit, Përmbajtjen dhe Teknologjinë (DG CNECT), Renate Nikolay.
Takimi u zhvillua në kuadër të Samitit të 11-të Digjital të Ballkanit Perëndimor, një ndër platformat më të rëndësishme rajonale që synon forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, i cili u mbajt në Shkup (Maqedonia e Veriut).
Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi përafrimin e Shqipërisë me zhvillimet digjitale të Bashkimit Evropian dhe mbi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për të çliruar potencialin e plotë të kësaj fushe.
“Shqipëria sot është një shembull rajonal për mënyrën se si digjitalizimi i shërbimeve publike dhe inovacioni janë kthyer në bazë të modernizimit të shtetit. Theksuam hapat e rëndësishëm që Shqipëria ka ndërmarrë në përafrim me standardet e BE-së dhe sesi kjo rrugë e përbashkët na ndihmon të ecim më shpejt drejt transformimit digjital”, deklaroi Ibrahimaj.
Pjesëmarrja në këtë samit konfirmon angazhimin e Shqipërisë për të qenë një faktor aktiv në nxitjen e zhvillimeve digjitale dhe të inovacionit.