Hita: Situatë e papranueshme në Sarandë, reflektim për rikthimin e besimit të qytetarëve te policia

Më datë:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, zhvilloi takim me strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, me fokus sigurinë, zbatimin e ligjit dhe rritjen e forcës reaguese të strukturave vendore të Policisë.

Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi që strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë të reflektojnë menjëherë për të ndryshuar situatën dhe perceptimin e qytetarëve ndaj punës së Policisë.

“Është e papranueshme situata në Sarandë dhe kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ndaj kërkohet reflektim, përgjegjësi dhe rikthim i besimit të qytetarëve te Policia. Cilido që do mbajë lidhje apo do favorizojë grupet kriminale dhe elementet me rrezikshmëri të lartë shoqërore do të përjashtohet nga Policia dhe do merret drejtësia me të”, tha Hita.

“Strukturat policore duhet të reagojnë me forcë ndaj grupeve kriminale, armëmbajtjes pa leje, kapjes së shtetasve të kërkuar, trafikut të narkotikëve dhe ndaj çdo aktiviteti kriminal që cenon rendin dhe sigurinë publike. Ndërtimet pa leje në asnjë mënyrë nuk do të lejohen. Bashkëpunoni dhe koordinoni veprimet me strukturat e tjera përgjegjëse për mbrojtjen e territorit”, vijoi ai.

Hita u ndal edhe te siguria në shkolla duke e konsideruar prioritet mbi prioritete, deri në ditën e fundit të vitit shkollor. Ai kërkoi angazhim maksimal për sigurinë e jetës dhe shëndetit të nxënësve, sigurim informacioni me agjentët e Policisë Kriminale dhe goditje të atyre që tentojnë të dëmtojnë të ardhmen e vendit.

“Policia Rrugore dhe patrullat e përgjithshme duhet të ushtrojnë kontroll të plotë ndaj shkeljeve që krijojnë kaos në qarkullim, parkimeve të gabuara, automjeteve të modifikuara dhe ndaj çdo paligjshmërie në rrugë.  Forca e Posaçme “Shqiponja” duhet të rrisë prezencën dhe reagimin në terren, për goditjen e elementeve kriminale dhe rritjen e sigurisë në qytet”, tha Hita, ndërsa shtoi se Policia Kufitare duhet të jetë më aktive në parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, kontrollin e kufirit jeshil dhe monitorimin e mjeteve lundruese.

“Çdo kërcënim apo presion ndaj punonjësve të Policisë duhet të denoncohet menjëherë dhe do të përballet me forcën e ligjit, duke iu siguruar mbështetjen time të plotë”, tha Hita.

Në prag të sezonit turistik, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha strukturat policore, për garantimin e rendit, sigurisë dhe ofrimin e një shërbimi profesional ndaj qytetarëve dhe turistëve vendas e të huaj.

Në përfundim, ai theksoi se Policia e Sarandës duhet të rikthehet në standardet që qytetarët meritojnë, përmes profesionalizmit, reagimit në kohë dhe zbatimit të paanshëm të ligjit.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Amortizimi i godinave/ Copat e mermerit shkëputen nga fasada e Gjykatës së Durrësit

Fasada e jashtme e Gjykatës së Durrësit ka pësuar...

PEKIN – Rusia dhe Kina “kritikojnë” veprimet ushtarake të SHBA-së

 Në një deklaratë të përbashkët midis Rusisë dhe Kinës...

“Veliaj dhe 7 të pandehurit përballë drejtësisë, gjykata shtyn seancën”

Erion Veliaj dhe 7 të bashkëpandehurit e tij do...

“Akuza për zaptim tokash në Lushnje, Braçe reagon pas gjyqit në GJKKO”

Deputeti Erion Braçe ka lënë ambientet e GJKKO. Braçe...