Zhvillohet sot në Gjykatën e Posaçme seanca e dytë për gjyqin në themel ndaj kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta.
Raportohet se Meta ka dorëzuar një deklarate që nuk do të marrë pjesë se seancën ku do të diskutohet masa e sigurisë, por do të marrë pjesë në seancën ku do të zhvillohet gjyqi në themel.
Ndërkohë në sallën e gjyqit janë të pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka, Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi dhe deputeti Klevis Balliu.
Në seancën e kaluar, Meta u shfaq pas kafazit të xhamtë, për herë të parë që pas arrestimit të tij. Ai lëshoi akuza në drejtim të sistemit të drejtësisë, duke e cilësuar si proces të turpshëm.
“Nuk jam unë në pozita të pabarabarta, por ata. Me shpifje dhe gënjeshtra, me kallëzues të rremë, një proces i turpshëm kundër shtetit shqiptar, jo kundër Ilir Metës. Ju ftoj nga sot deri në momentin e fundit, ju ftojë të ndiqni dhe transmetoni live të gjithë procesin.
Ju garantoj se mbaj përgjegjësi për çdo veprim, akt dhe sjellje timen”, dëgjohet teksa flet Meta pas kafazit prej xhami. Meta shfaqet për herë të parë publikisht për mediat, që pas arrestimit të tij në tetor të 2024-ës, ndërsa dukshëm shfaqet ndryshe në pamje.
Meta ka kërkuar me këmbëngulje që seancat gjyqësore të transmetohen live, si një kush sipas tij që gjithçka të jetë transparente. Ai iu drejtua me një kërkesë të veçantë edhe Gjykatës së Posaçme në lidhje me këtë çështje vetëm pak ditë më parë.
“Transparenca përpara qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik”, shkruan ai në një postim në rrjetet sociale. Që prej 21 tetorit 2024, Meta nuk është shfaqur në publik dhe nuk ka dhënë asnjë intervistë, ndërsa imazhi i fundit i tij mbetet momenti i arrestimit.
Meta përballet me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.


