U mbajt sot në 17 korrik procesi gjyqësor në ngarkim të ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj për çështjen e Sterilizimit.
Në gjykim ishte i pranishëm ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, teksa në krah të tij ndodhej avokati Ermal Yzeiraj. Kjo, pasi Beqaj fitoi të drejtën për t’u gjykuar jashtë kafazit të të pandehurit.
Çfarë ndodhi në seancë?
Pasi mbrojtja depozitoi në gjykatë kërkesat paraprake, Prokuroria mbajti qëndrim për to. “Njoftimi i akuzës është i paqartë”, ka qenë një nga 22 parashtrimet e mbrojtjes. Sipas prokurorit Edvin Kondili, ky qëndrim nuk është i vlefshëm në këtë fazë të gjykimit, pasi pretendimi i pafajësisë i takon një momenti tjetër procedurial (jo atij të kërkesave paraprake, por në fund).
Një tjetër kërkesë tjetër e depozituar nga Ilir Beqaj ka qenë ajo që Prokuroria duhet të paraqesë një tabelë për çdo fakt, që ua atribuon të pandehurve. Për këtë, organi i posaçëm i akuzës tha se faktet dhe provat janë të ndara për secilin prej të pandehurve, ndaj është një pretendim i pambështetur.
Në seancë ka marrë fjalën ish-ministri Beqaj. Ai pretendoi se Prokuroria ia ka cenuar hapur të drejtat procedurale.
“Faleminderit organit të akuzës për përgjigjet. Fillimisht më duhet të them se organi i akuzës pranoi që në fazën e hetimeve m’i ka cenuar hapur të drejtat e mia procedurale. Tre kërkesat e fundit i kam bërë sepse gjendem në fazën e shqyrtimit paraprak. Sot unë e kam të vështirë të bëj mbrojtjen.
Në përgjigjet e fundit, organi i akuzës vlerësoi vendimmarrjen e GJSP-së. Ajo është e paankimueshme, por për sa kohë thotë se ka vepruar drejt, do të thotë se vendimi i tyre është ndikuar. U bënë rreth tre vjet që merrem me këtë çështje. Sot organi i akuzës tregoi se Kodi është i pavlerë. Pavarësinë e tyre e shfrytëzojnë për të shkelur të drejtat procedurale. GJKKO-ja dhe SPAK-u e hedhin poshtë ligjin e Avokaturës së Shtetit”, tha Beqaj.
Më tej, ish-ministri Ilir Beqaj u shpreh se për një tjetër kallëzim ndaj tij, SPAK e ka pranuar se kallëzimi ka qenë i formuluar me pyetje, e prandaj duhet të ishte refuzuar.
“Për kallëzimin e Nismës Thurje, organi i akuzës e pranoi se kallëzimi ishte i formuluar me pyetje, prandaj duhet të ishte refuzuar. Organi i akuzës nuk u përgjigj pse m’i ka shkelur të drejtat. Tha se shumë veprime, vërtet, nuk janë kryer, por në seancën paraprake janë kërkuar si shtesë.
Nuk besoj se ka vjedhje para se të nënshkruhet kontrata. Unë kam bërë kërkesa, por s’kam marrë përgjigje. Organi tha se vjedhja lidhet me veprimet e mia, ndërsa dhjetëra mijëra faqe nuk kanë lidhje me akuzën. Unë s’kam pranuar asgjë. Një dokument që nuk ka nënshkrimin tim nuk mund të përdoret kundër meje”, deklaroi Beqaj.
Në fund të seancës, avokati deklaroi se ka nevojë për kohë, që të lexojë përgjigjet e Prokurorisë. “Kam nevojë për kohë, që të lexoj përgjigjet e Prokurorisë”, tha avokati. Seanca e radhës u caktua në datën 11 shtator.
Dosja e Sterilizimit
Nga hetimet ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin I.Rr, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë Euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit, në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.
Në këto kushte, SPAK ka vënë në akuzë edhe I.Rr në cilësinë e aksionerit të kompanisë dhe ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë në atë kohë, Klodian Rjepaj. Sipas Prokurorisë së Posaçme ata kanë konsumuar veprat penale të falsifikimit të dokumenteve, mashtrimit dhe shpërdorim të detyre.
Të pandehur për këtë rast janë marrë edhe 6 ish-zyrtarë dhe anëtarë të Komisionit të Ofertave, teksa SPAK i akuzoi për falsifikim dokumentesh në procedurën e dhënies së koncesionit në vitin 2015.


