30.5 C
Tirana

Gaza s’gjen qetësi, mbi 100 të vrarë në pak ditë

Më datë:

Të paktën 15 palestinezë u vranë dhe mbi 60 të tjerë u plagosën të enjten, 19 qershor, në Gaza, ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihma ushqimore pranë një pike shpërndarjeje. Forcat izraelite dyshohet se kanë hapur zjarr pranë zonës midis Nuseirat dhe pjesës qendrore të Gazës, ku mijëra njerëz ishin mbledhur në orët e para të mëngjesit për të marrë ushqim.

Ky është incidenti i tretë i këtij lloji brenda tri ditëve dhe më shumë se 100 persona janë vrarë që nga e hëna në përpjekje për të arritur apo pritur ndihmat që hyjnë me vështirësi në territorin e shkatërruar nga lufta. Në katër javët e fundit janë regjistruar rreth 20 incidente të ngjashme.

Një dëshmitar, Abdullah Ahmed, tha për “The Guardian” se ishte nisur herët nga shtëpia për të siguruar ushqim dhe u godit nga predhat dhe plumbat gjatë rrugës. Ai tregoi se ishte goditur nga copëza shrapneli në kraharor, qafë dhe këmbë. Një tjetër i plagosur, Abdel Fattah Younis, 20 vjeç, tha se u qëllua me plumb në gjoks dhe shpinë kur turma u afrua tek pika e ndihmave, duke menduar se ishte hapur.

Spitali al-Awda raportoi se kishte pranuar në urgjencë nëntë persona të vdekur dhe 120 të plagosur nga ky incident. Ushtria izraelite tha se trupat e saj kishin qëlluar “në ajër” si paralajmërim ndaj “personave të dyshimtë” në zonën e Netzarim, por pretendoi se nuk kishte informacion për të plagosur.

E enjtja ishte një nga ditët më të përgjakshme në Gaza, me rreth 60 persona të vrarë nga sulmet ajrore izraelite. Mungesa e ushqimit është bërë kritike në gjithë territorin, që nga marsi dhe prilli kur Izraeli vendosi një bllokadë të ashpër. Shumë banorë tani përballen me rrezik real urie.

Megjithëse bllokada është lehtësuar pjesërisht muajin e kaluar, përpjekjet e OKB-së për të sjellë ndihma po përballen me pengesa të shumta, përfshirë rrugët e shkatërruara, kufizimet ushtarake izraelite, bombardimet e vazhdueshme dhe mungesën e rendit.

Zyrtarët e ndihmave humanitare thonë se mesatarisht 23 kamionë të OKB-së në ditë kanë hyrë në Gaza përmes pikës së kontrollit në Kerem Shalom. Megjithatë, shumica janë ndaluar nga turmat e uritura ose janë plaçkitur nga grupe të organizuara. Programi Botëror i Ushqimit bëri të ditur se në katër javët e fundit ka arritur të shpërndajë vetëm 9,000 ton ushqim, një sasi që përbën vetëm një pjesë të vogël të nevojave për mbi 2 milionë njerëz.

Izraeli po përpiqet të zëvendësojë sistemin e mëparshëm të shpërndarjes së ndihmave nga OKB-ja me një organizatë të re të quajtur Gaza Humanitarian Foundation (GHF), e cila financohet nga SHBA dhe Izraeli. Zyrtarët izraelitë pretendojnë se Hamas ka abuzuar me ndihmat humanitare, por OKB dhe organizatat e ndihmës e kanë kundërshtuar sistemin e ri, duke e cilësuar si të pasigurt dhe jopraktik.

GHF ka deklaruar se ka shpërndarë mbi 30 milionë vakte pa incidente që nga fillimi i operacioneve të saj muajin e kaluar. Por banorët e Gazës thonë se ndihmat mbërrijnë me rrezik jete dhe të shoqëruara nga dhunë.

Lufta në Gaza nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1 200 persona në Izrael dhe u morën 251 pengje. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që prej rifillimit të sulmeve të mëdha izraelite më 18 mars, janë vrarë mbi 5 100 persona. Numri total i të vdekurve në Gaza që nga fillimi i luftës ka arritur në rreth 55 600.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Misionet e kërkim-shpëtimit, ekuipazhi ajror i Gardës Kombëtare të New Jersey asiston FA

Mirëmbajtësit e avionëve dhe ekuipazhi ajror i Gardës Kombëtare...

55 vjeçe në ‘top formë’! Sekretet e vogla të Melania Trump

Melania Trump, 55 vjeçe, vazhdon të tërheqë vëmendjen me...

Beci: Pastrohet në kohë rekord qendra e Thethit

Teksa aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në...

Autor i 13 grabitjeve, arrestohet 46-vjeçari në Tiranë, vidhte motomjete elektrike dhe…

Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën...