Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme ka arritur në 8,2 miliardë lekë, ose rreth 85 milionë euro, pas derdhjes së kontributeve vjetore të bankave tregtare për vitin 2026.
Banka e Shqipërisë bëri të ditur se ky fond, i krijuar në vitin 2018, synon shpëtimin nga falimentimi të bankave që mund të përballen me vështirësi financiare në të ardhmen, pa pasur nevojë për përdorimin e parave të taksapaguesve.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në zbatim të ligjit “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”, fondi duhet të arrijë nivelin e synuar prej 0,5% të totalit të detyrimeve të sistemit bankar, të llogaritura si diferencë midis aktiveve totale dhe kapitalit rregullator të të gjitha bankave të licencuara në vend, brenda 10 viteve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Bazuar në vlerën aktuale të detyrimeve të sistemit bankar, projektohet që brenda vitit 2027 Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme në Banka të arrijë në rreth 9,4 miliardë lekë.
Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në përputhje me politikën e administrimit të mjeteve financiare, e cila miratohet nga Banka e Shqipërisë.


