Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) do të sigurojë 50 miliardë dollarë për të ndihmuar vendet me të ardhura të ulëta dhe tregjet në zhvillim për t’u përballur me shpërthimin e koronavirusit, (AA).
Shuma do të vihet në dispozicion përmes një lehtësie të shpejtë të financimit emergjent, kurse 10 miliardë dollarë të kësaj ndihme janë në dispozicion me interes zero për anëtarët më të varfër, njoftoi huadhënësi global të mërkurën.
Duke folur për përhapjen e shpejtë të sëmundjes, Drejtoresha Menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva, tha se mbi një e treta e vendeve anëtare të fondit janë prekur direkt.
“Kjo nuk është më një çështje rajonale, është një problem global që kërkon një përgjigje globale”, theksoi ajo.
Ajo sqaroi se një e treta e humbjeve ekonomike nga shpërthimi i Covid-19 do të ishte një kosto direkte siç janë humbja e jetëve, mbyllja e vendeve të punës dhe karantinat.
Dy të tretat, shtoi ajo, do të jenë indirekte, duke përfshirë ndikimet në besimin e konsumatorit, sjelljen e biznesit dhe tregjet financiare.
“Lajmi i mirë është se sistemet financiare janë më elastike se para krizës globale financiare. Sidoqoftë, sfida jonë më e madhe tani është trajtimi i pasigurisë”, tha Georgieva.
Ajo shtoi se rritja globale në vitin 2020 do të jetë nën nivelin e vitit të kaluar.
“Sa do të bjerë dhe për sa kohë, është e vështirë të parashikohet, dhe do të varet nga epidemia, por edhe nga afatet dhe efektiviteti i veprimeve tona”, theksoi shefja e FMN-së.
Të martën, Banka Botërore paralajmëroi 12 miliardë dollarë ndihmë të menjëhershme për vendet që përballen me ndikimet shëndetësore dhe ekonomike të shpërthimit të Covid-19.
Koronavirusi i ri u shfaq në Wuhan të Kinës, dhjetorin e kaluar dhe tani është përhapur në mbi 75 vende.
Numri global i vdekjeve ka arritur në rreth 3.500 persona, me më shumë se 92.000 raste të konfirmuara.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila tashmë ka shpallur shpërthimin e një emergjence ndërkombëtare shëndetësore, ngriti nivelin e rrezikut global në “shumë të lartë”.


